Lufta kundër terrorizmit, Obama: Evropa të luftojë e bashkuar

26.04.2016 13:12

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka mbyllur vizitën e tij dyditore në Gjermani, duke i dhënë kështu fund edhe turit të tij gjashtëditor me aleatët përtej Atlantikut...

Të pranishëm në takim ishin  kancelarja Merkel, presidenti francez Hollande, si dhe dy kryeministrat, ai britanik dhe italian, Cameron dhe Renzi. Liderët kanë diskutuar rreth shpërndarjes së informacioneve midis njësive inteligjente ndërkombëtare në kuadër të parandalimit të sulmeve terroriste.

Ata folën gjithashtu rreth sulmeve në Bruksel dhe Paris, të cilat kanë tronditur mbarë opinionin evropian.

Edhe në këtë takim, presidenti Obama ka kërkuar që evropianët të qëndrojnë të bashkuar për të mposhtur ekstremizmin. Gjithashtu, përfaqësuesit kanë diskutuar për një sërë çështjesh me rëndësi, përfshirë krizën e emigrantëve, luftën e Sirisë, referendumin e Britanisë së Madhe etj.

Obama ka përgëzuar Merkelin për politikat pro strehimit të azilkërkuesve, teksa ka bërë thirrje për më shumë solidaritet në drejtim të refugjatëve. Një ditë përpara mbërritjes së kreut të shtetit amerikan në Hanover, rreth 35 mijë persona zbritën në rrugët e qytetit për të protestuar kundër marrëveshjes.