Panik në Akapulko, narkotrafikantët përleshen me policinë
Momente paniku në Akapulko, destinacioni i njohur turistik në bregun e paqësorit të Meksikës, pas një serie shkëmbimesh zjarri mes kriminelëve dhe agjentëve të policisë...

Të shtënat kanë përhapur terror në një nga zonat më të vizituara të qytetit, që nuk konsiderohet më parajsë e sigurt turistike.
Dy sulme të koordinuara filluan kundër selisë së Policisë federale meksikane dhe “Playa Suites”, një kompleks turistik ku qëndrojnë zakonisht agjentët e dërguar në Akapulko nga qeveria qendrore.
Këto sulme, në të cilat një nga kriminelët mbeti i vrarë dhe një polic i plagosur, kanë vijuar me ndjekje dhe shkëmbime zjarri përgjatë vijës bregdetare, epiqendër e aktivitetit turistik, ku qindra persona janë detyruar të strehohen në dyqane e qendra tregtare për t’u mbrojtur nga plumbat.
Autoritetet thonë se sulmet mund të kenë qenë një përgjigje ndaj arrestimit të dy bosëve të rëndësishëm të narkotrafikut.
