Oferta e re e UT-së, dy fakultete të reja për vitin akademik 2016-2017

26.04.2016 14:27

Universiteti i Tetovës zgjeron ofertën e tij akademike...

UT për vitin e ri akademik hap edhe dy fakultete të reja, Fakultetin e Bujqësisë dhe atë të Pedagogjisë, me disa drejtime.

Në vitin e ri akademik UT do të pranojë rreth 5000 studentë të rinj. Drejtuesit e universitetit thonë se oferta e këtij viti është gjithëpërfshirëse, sepse këtë vit studimor përmblidhen të tri nivelet e studimit.

“Për maturantët e këtij viti, Universiteti i Tetovës, përpos studimeve ekzistuese, ofron studime edhe në dy fakultete dhe drejtime të reja studimore, siç janë: Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, në kuadër të të cilit do të funksionojnë drejtimet studimore: Prodhimtari bimore, Prodhimtari shtazore dhe Agrobiznes, si dhe Fakulteti Pedagogjik me dy drejtime studimore: Mësim klasor dhe Drejtimi i mësimit parashkollor.”- deklaroi prorektori për arsim, Reshat Qaili.

UT ka hapur konkurs edhe për studentët të cilët dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Fakultetin e shkencave të zbatuara në UT edhe pse ky i fundit u mbyll me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Maqedonisë.

“Në konkursin që kemi propozuar ne si Universitet dhe që ia kemi dorëzuar Ministrisë, në të figuron edhe Fakulteti i shkencave të zbatuara me të gjitha programet studimore, që do të thotë se në çdo program studimor janë propozuar numër studentësh që llogarisim se do regjistrojnë këtë fakultet.”- tha prorektori për arsim, Reshat Qaili.

Aktivitetet  promovuese të UT-së do t’i përmbyllen  me Ditët e Hapura, që do të mbahet më 28 prill 2016, në Tetovë, ku nga afër studentët e ardhshëm të UT-së do të kenë mundësi të njoftohen me ofertën e re akademike të këtij universiteti. (Visar Sadiki, TVM2)