BE dhe ShBA a po përgatisin listë të zezë për disa politikanë të Maqedonisë?

26.04.2016 16:07

Bashkimi Evropian ende nuk i konfirmon zyrtarisht zërat për përpilimin e listës së politikanëve të Maqedonisë ndaj të cilëve do të aplikohen sanksione...

Por, burime jozyrtare diplomatike kanë deklaruar për mediat se Komisioni Evropian në kuadër të Shërbimit për Punë të Jashtëm Evropiane po përgatit ndalesë për hyrje në shtetet anëtare të BE-së, për politikanët që konsiderohen përgjegjës për krizën politike. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, sot nuk i ka pohuar informacionet e këtilla, por ka pranuar se pas dështimit të takimit në Vjenë javën e kaluar, BE planifikon "një lloj veprimi" kundër përgjegjësve.

“Situata akoma është shumë shqetësuese për ne. Ne jemi të hapur për të dhënë ndihmë, por ashtu si shumë herë deri më tani, do të përsëris sërish, se përgjegjësia për zgjidhjen e krizës momentale politike është në duart e liderëve politik në vend. Ne theksuam shqetësimin tonë dhe thamë që jemi të detyruar t’i shqyrtojmë hapat e ardhshëm që të kënaqim kërkesat e Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian.”- deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.

Por, zyrtarë të lartë të Brukselit në kushte anonimiteti kanë thënë për mediat ndërkombëtare se BE së bashku me ShBA-të po përpilojnë një listë të zezë në të cilën do të përfshihet presidenti, Gjorge Ivanov, dhe disa nga 56 politikanët që ishin pjesë e listës së tij për falje. (Sanije Duraku, TVM2)