Maqedoni

Zëvendësministri Maksuti: Integrimi në NATO dhe BE, pa alternativë

26.04.2016 16:21

Kriza politike zvogëlon gjasat për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, ndërsa samit pas samiti po shtohen kushtet që duhet plotësuar vendi para anëtarësimit...

Kështu vlerëson kryetari i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë, Ismet Ramadani. Megjithatë, ai thotë se vendi mbetet fuqishëm i përcaktuar në rrugën euroatlantike dhe vetëm grupe të vogla ekstreme së fundmi janë shprehur kundër integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, por mbi 80% e qytetarëve e dëshirojnë anëtarësimin. 
 
“Në qoftë se nuk i kryejmë obligimet tona, atëherë është shumë vështirë, sepse përveç çështjes së emrit samit pas samiti, ne na shtohen detyra plus për faktin se në disa kriteriume dhe standarde që janë komplementare për t’u plotësuar, ne kemi rënie. Por, sot kjo rini këtu, e cila simulon një samit të NATO-s, do të na jep shpresë se do t’i kthehemi rrugës, respektivisht integrimeve euroatlantike.”- deklaroi kryetari i Këshillit Euroatlantik, Ismet Ramadani. 
                                                                                                 
NATO dhe BE janë përcaktime strategjike pa alternativë, thotë zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.  
 
“Fakt se tani gjendemi në një krizë politike, mirëpo në anën tjetër unë edhe një herë dua të ritheksoj pozicionin politik dhe strategjik të RM-së, ajo është vetëm se anëtarësimi në NATO dhe BE. Nuk ka alternativë tjetër për Maqedoninë në këtë drejtim dhe pavarësisht krizave apo sfidave me të cilat ballafaqohet vendi, ne të gjithë, qoftë qeveria, qoftë sektori civil, qoftë opozita, duhet të punojmë së bashku që mos ta largojmë RM-në nga rrugëtimi që ka drejt NATO-s dhe BE-së.”- deklaroi zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.            
                                                                 
Përfaqësuesi i NATO-s shprehi optimizmin e tij në drejtim të përmbushjes së kritereve nga ana e Maqedonisë, ndërsa thotë se NATO ka konfirmuar mbështetjen për anëtarësim të Maqedonisë dhe vendeve të rajonit.    
                                                                                                                 
“NATO ka shprehur përkushtimin e saj dhe mbështetjen për vendin tuaj dhe vendet tjera ballkanike për t’iu bashkangjitur asaj, atëherë kur vendet janë të gatshme dhe të plotësojnë kriteret, duke u bazuar në konsensus në njërën anë, dhe në anën tjetër interesin kombëtar. Katër partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës e dinë se e ardhmja i takon integrimit euroatlantik. Ky është një moment për rimendim strategjik, i cili do ta bën vendin të krijojë të ardhmen e tij.”- theksoi shefi i Zyrës së Lidhjeve në NATO, Rumen Radev.  
              
Këto vlerësime u bënë në NATO në konferencën simulative me studentë të organizuar nga Këshilli Euroatlantik, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, në pritje të Samitit të Varshavës. 
 
LEUNORA KALIQI