Maqedoni
Kiraçovski: Tenderë për firma të afërta me qeverinë
26.04.2016 16:33
Zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Aleksandër Kiraçovski, ka akuzuar ish ministrin, Ivo Ivanovski, për kriminalitet gjatë punën e tij...

Këtë Kiraçovski e konfirmon, siç thotë, me një dokument të nënshkruar katër vjet më parë nga zëvendëskryeministri, Vladimir Peshevski, dokument ky i cilësuar si i fshehtë, me rezultatet e një revizioni për periudhën nga viti 2007-2012.
Sipas Kiraçovskit, ky dokument shpalos të dhëna për tenderë të bëra përmes kësaj ministrie, e ku paratë kanë përfunduar në kompani të afërta me partinë në pushtet. As ish ministri Ivanovski e as zëvendëskryeministri Peshevski nuk i kanë komentuar këto akuza.
“Pikërisht në kompaninë e kushëririt të ministrit, Zoran Stavreski, e cila ishte pjesë e konsorciumit për realizimin e projektit “Interoperabilitet”, kanë përfunduar 850 mijë euro. Mijëra euro në kompani të afërta me pushtetin kanë përfunduar edhe për projektin ‘Teste psikologjike për administratën dhe softuer për testet’”- tha zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Aleksandër Kiraçovski.
