Maqedoni
Sindikata e Kulturës, protesta para Ministrisë së Kulturës
26.04.2016 16:47
Artistë dhe punonjës të institucioneve të kulturës protestuan para Ministrisë së Kulturës me moton “Kultura nuk ua duron torturën”...

Ata me këtë rast shprehën mospajtim me ndryshimet në Ligjin për kulturë, pagat e ulëta, kërkuan marrëveshje të re kolektive, pasi që marrëveshja ekzistuese që prej para 10 vitesh nuk ka pësuar asnjë ndryshim, dhe kërkesa tjera.
“Kërkesa e të gjitha organizatave sindikale është kjo: ndërprerja e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të vitit 2014. Me inaugurimin e parlamentit të ri, në njëqind ditët e para të tërhiqen të gjitha ndryshimet, ku të gjitha nenet përmbajnë ndalesa, dënime, masa restriktive, me qëllim që të shkatërrohet arti dhe njerëzit të jenë të kontrolluar gjithkund dhe gjithmonë.”- deklaroi kryetari i Sindikatës në Ministrinë e Kulturës, Viktor Ilieski.
Nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, ata pas fillimit me punë të përbërjes së re parlamentare paralajmërojnë fillimin e grevës.
Njëherit u shpreh pakënaqësi edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila, siç u tha, nuk ka ngritur procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për sektorin publik.
GYLTENE SINANI
