Maqedoni

Marrëveshje Agjencia e kadastrës së Maqedonisë me Zyrën e pasurive të paluajtshme të Shqipërisë

26.04.2016 16:52

Agjencia për kadastër të patundshmërive e Maqedonisë dhe Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme e Shqipërisë...

Agjencia për kadastër të patundshmërive e Maqedonisë dhe Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme e Shqipërisë nënshkruan memorandum të mirëkuptimit midis dy institucioneve dhe marrëveshje të nënveprimit të sistemeve satelitore të rrjetit global të Maqedonisë “Makpos” dhe atë të Shqipërisë “Alb POS”.  
 
Nënshkrimi i këtij memorandumi paraqet bazë për bashkëpunim mes dy institucioneve në sferën e kadastrës, vlerësimit të patundshmërive, hartografisë dhe vendosjes e infrastrukturës së të dhënave gjeohapësinore, vlerësuan drejtorët e të dy institucioneve përkatëse.  
 
“Pa investime shtesë në mjete, softuer dhe në komunikime, të dy vendet arrijnë mbulim të tërësishëm të rrjetit GNSS dhe krijojnë kushte për plotësimin e korrektësisë homogjene të procedurave për matjen e territorit, duke e kyçur këtu edhe atë të zonës kufitare. Me shkëmbimin e të dhënave në mes të ‘MakPOS’ dhe ‘Alb POS’, do të përmirësohet kualiteti dhe korrektësia e të dhënave gjeodezike.”- deklaroi drejtori i Agjencisë për kadastër të patundshmërive, Sllavçe Trpevski.
 
“Rëndësia e sistemeve satelitore të rrjetit global është tejet i madh jo vetëm në rritjen e saktësisë së matjes së planeve të sakta të rivelimit, por, siç tha, edhe në fusha tjera me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit, si administrimi i tokës, planifikimi i zhvillimit urban, inxhinieria e ndërtimeve etj.”- tha drejtori i Zyrës së regjistrimit të pasurive të paluhatshme të Republikës së Shqipërisë, Ilirian Meho.
 
Zhvillimi, promovimi dhe maksimalizimi i fushës së përdorimit të sistemeve të tilla kanë ndikim dhe prurje prurjesh aplikimesh të reja në tregun e një vendi dhe në këtë kuptim duhet mbështetur kërkesat dhe pritjet e tregut, u potencua me këtë rast.  
 
ERSAN PAJAZITI