Maqedoni
Ndryshimet e temperaturës, grupet më të rrezikuara janë fëmijët dhe pleqtë
26.04.2016 17:03
Ditëve të fundit Maqedonia dhe vendet e rajonit janë përballur me temperatura të ulëta, që mbrëmë kanë rezultuar edhe me reshje të bores në zona malore të Maqedonisë veriperëndimore...

Borë, megjithëse në sasi të vogël, ka rënë në Mavrovë dhe në Kodrën e Diellit, në kalimin malor Strazhë dhe në malësinë e Karadakut.
Derisa në Dibër temperatura ka rënë deri në 1 gradë celsius. Ndërsa sinoptikanët paralajmërojnë se edhe në ditët në vazhdim koha do të jetë e ndryshueshme, me vranësira, shi dhe në periudha të kohëpaskohshme me diell.
“Nga e premtja deri të hënën do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe shira të përkohshëm. Ndërsa të dielën, në disa pjesë pritet të kemi shira të rrëmbyeshëm, ndërsa vetëm ditën e shtune nuk do kemi reshje të shiut, moti do të jetë stabil.”- deklaroi sinoptikania, Lena Jovanovska.
Por, mjekët thonë se ndryshimet e shpeshta klimatike ndikojnë në shëndetin e njeriut. Grupet më të rrezikuara janë fëmijët, gratë shtatzëna, pleqtë mbi moshën 60 vjeçare edhe njerëzit me sëmundje kronike, ata me sëmundje të kanaleve të frymëmarrjes (astmë, bronkiale, me bronkite kronike) dhe një numër me infeksione të sistemit respirator të sipërm.
Për çdo ndryshim klimatik, njerëzit që kanë problem me shëndetin duhet të paraqiten tek mjeku amë për t’u konsultuar rreth tretmanit të nevojshëm, thotë mjeku, Sedat Lumani.
“Ndryshimi i këtillë brenda 24 orëve i keqëson këto grupmosha. Këto ditë janë të rrezikshme për njerëzit me sëmundje kardiovaskulare, me insulter, që janë më të shpeshta, dhe kur kemi ndryshime të këtilla kemi të bëjmë me sulme në tru.”- tha mjeku, Sedat Lumani.
Lumani rekomandon që në raste të ndryshimeve të shpeshta të temperaturave, qytetarët sa më pak të ekspozohen në ambient të hapur.
REJHANE BUSHI-METAJ
