Maqedoni
Protesta dhe kundërprotesta në Tetovë
26.04.2016 21:06
Protesta dhe kundër protesta janë mbajtur sot edhe në qytetin e Tetovës...

Fillimisht në orën 18 janë realizuar kundër protestat të cilat filluan nga qendra sportive dhe kanë lëvizur deri tek selia e LSDM-së, me thirrjet" DUAM ZGJEDHJE", "poshtë tradhtarët" e tjerë.
Edhe pse protestuesit u takuan me kundër protestuesit para selisë së LSDM-së , incidente nuk pati. Një orë më vonë u mbajten edhe protestat e sektorit civil, të cilat filluan nga gjykata e Tetovës ku shpalosën parullat me kërkesa për drejtësi, dorëheqje të qeverisë dhe presidentit si dhe tërheqje të vendimit për falje të kryetarit të shtetit.
Protesta më tej ka vazhduar kah zyra e presidentit Gjorge Ivanov, ndërkohë që duke lëvizur kanë gjuajtur me vezë gjykatën e Tetovës.
Me të arritur para zyrës së presidentit Ivanov në Tetovë, ata në shenjë simbolike kanë nxjerrë edhe kartonët e kuq, me çka, kanë kërkuar siç thoshin përjashtimin e tij nga politika.
Protestat kanë përfunduar të qeta dhe nuk ka pasur incidente, ndërkohë që nga disa protestues janë paralajmëruar protesta edhe në ditët në vazhdim.
VISAR SADIKI
