Ekstradohet arkitekti i sulmeve të Parisit, Salah Abdeslam rikthehet në vendin e krimit
Terroristi, Salah Abdeslam, është ekstraduar në Francë...

Mbi atë, që deri para pak kohësh ishte njeriu më i kërkuar i Evropës, rëndon akuza e “vrasjes terroriste”.
Prokurori federal belg sqaroi se, Abdeslami iu dorëzua autoriteteve franceze mëngjesin e sotëm, duke zbatuar kështu mandatarrestin e lëshuar nga Franca më 19 mars. Nuk është ende e qartë për momentin se ku është dërguar saktësisht, gjithë çfarë dihet është se, së fundi ishte transferuar nga burgu i Bryzhit në atë të sigurisë së lartë të Beverenit, që ndodhet pranë Anversës.
Sulmet e koordinuara të militantëve të “Shtetit Islamik” në Paris kushtuan 130 jetë njerëzish, plagosën me dhjetëra të tjerë e tronditën rëndë ndjenjën e paprekshmërisë së një shteti evropian.
Abdeslam mund të jetë një burim mjaft i rëndësishëm informacioni për të zbardhur plotësisht ngjarjen që tronditi kryeqytetin francez, por edhe mbarë opinionin evropian në mbrëmjen tragjike të 13 nëntorit të vitit të shkuar.
Ai u arrestua në Bruksel, vetëm katër ditë përpara sulmeve të Belgjikës dhe ekstradimi i tij vjen pas afro një muaji e gjysmë. Fillimisht, Abdeslam deklaroi se do të bashkëpunonte me autoritetet belge dhe se do të kundërshtonte ekstradimin drejt Francës. Megjithatë, pas tragjedisë së Brukselit, për arsye të pazbuluara, ai ndryshoi qëndrim, duke thënë se do të bënte të pamundurën për një ekstradim sa më të shpejtë në Francë. Avokati i tij ka deklaruar se ekstremisti është i gatshëm që të bashkëpunojë më prokurorët francezë.
Autoritetet evropiane dyshojnë se sulmet e Parisit dhe ato të Brukselit janë ndërmarrë nga e njëjta celulë e “Shtetit Islamik” në Evropë, por një gjë e tillë nuk është vërtetuar ende plotësisht. (Leunora Kaliqi, TVM2)
