Liria e shtypit, “Freedom House”: Maqedonia, vend jo i lirë

27.04.2016 14:33

Në raportin e fundit të “Freedom House” për larinë e shtypit, Maqedonia ka shënuar rënie, dhe nga grupi pjesërisht i lirë Maqedonia tani është renditur në grupin e vendeve jo të lira...

Një vlerësim i tillë, sipas raportit, është rezultat i përgjimeve masive të gazetarëve, lidhjet korruptive të pushtetit me pronarët e mediave dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

“Skena mediale maqedonase është thellësisht e polarizuar politikisht. Autocensura te gazetarët është dukuri e shpeshtë, para së gjithash për shkak të presionit nga pronarët e mediave të cilët kanë interesa afariste apo politike. Gazetarët paguhen pak dhe përballen me kanosje dhe maltretime nëse angazhohen në informim hulumtues apo kritik.”- thuhet mes tjerash në raport.

Po ashtu, raporti vë në dukje se Ligji për qasje te informata me karakter publik implementohet pjesërisht, ndërsa bartësit e funksioneve qeveritare i prolongojnë përgjigjet dhe i shmangin mediat e pavarura apo kritike.

Në grupin e vendeve jotëlira është radhitur edhe Turqia, ndërsa Shqipëria dhe Kosova bëjnë pjesë në grupin e vendeve pjesërisht të lira. Por, edhe Shqipëria ka shënuar rënie, pasi aktualisht radhitet në vendin e 106-të me 51 pikë, në një kohë kur një vit më parë radhitej e 98-ta.

Në raport thuhet se, dhuna dhe kriza e emigrantëve kanë mbizotëruar lajmet në Evropë gjatë vitit që lamë pas, ashtu siç kanë peshë dhe në mbulimin e tyre. Ndonëse jo në mënyrë dramatike, sikurse vrasjet në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”, sulmet kundër gazetarëve në Ballkanin Perëndimor kanë ndikuar në rënien e lirisë së shtypit.

Organizata vlerëson se, liria botërore e medias gjatë 2015-ës ka rënë në pikën më të ulët në 12 vitet e fundit, ndërsa forcat politike, organizatat kriminale e ato terroriste kërkojnë të kontrollojnë, ose t’i mbyllin gojën shtypit, në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet. Sipas “Freedom House”, vetëm 14 për qind e njerëzve jetojnë në një shoqëri me shtyp të lirë. (Gyltene Sinani, TVM2)