Maqedoni

Administrata gjyqësore, Qeveria premton rritje rrogash, shtyhet greva

27.04.2016 16:13

Greva e Administratës gjyqësore e paralajmëruar për t’u mbajtur më 3 maj do të shtyhet...

Greva e Administratës gjyqësore e paralajmëruar për t’u mbajtur më 3 maj do të shtyhet, pasi që Sindikata e administratës gjyqësore ka marrë premtime se të punësuarit në këtë institucion do të marrin rritje në rroga deri në 35%.
 
Iniciativa për rritjen e kompensimit në rrogë për administratorët gjyqësorë ka kaluar në seancë qeveritare dhe Ministria e Financave dhe Këshilli gjyqësor janë të obliguar që t’i sigurojnë mjetet financiare. 
 
“Me këtë edhe administratorët gjyqësorë do të jenë të barabartë me ndihmat që kanë marrë prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët e Prokurorisë Publike. Nëse në afat prej 10 ditëve, aq sa edhe është shtyrë greva, nuk realizohet vendimi i Qeverisë, Sindikatës i mbetet e drejta për të realizuar grevën e paralajmëruar.”- deklaroi kryetari i Sindikatës së Administratës gjyqësore, Pece Gruevski.
 
Propozimi për të shtyrë grevën për rreth 10 ditë do të diskutohet nesër në mbledhjen e Bordit ekzekutiv dhe më pas do të sillet vendim përfundimtar.
 
Ndërkohë, kërkesat tjera të Sindikatës, siç janë dispozitat kontestuese të Ligjit për shërbime gjyqësore dhe kthimi i orarit të punës, do të diskutohen dhe shqyrtohen me Qeverinë e re.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI