Maqedoni

Xhevat Ademi në “Argument”: Liderët të dakordohen për pesë qershorin; Edmond Ademi: Zgjidhja e vetme, anulimi i zgjedhjeve

27.04.2016 16:27

Përplasen vlerësimet e BDI-së dhe LSDM-së për opsionet që do të nxirrnin vendin nga kriza...

Në emisionin debativ “Argument” në TVM2, përfaqësuesit e dy taborëve politik dolën me qëndrime të kundërta mbi mundësinë e daljes nga kriza me mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor.
 
Xhevat Ademi dhe Edmond Ademi pikë të përbashkët kanë vetëm tërheqjen e dekretit të Ivanovit për falje.
 
Xhevat Ademi ripërsërit qëndrimin e liderit të BDI-së, se zgjedhjet janë zgjidhje dhe se liderët edhe një herë do të duhet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të orientojnë situatën.
 
“BDI do të bëjë çmos që më e keqja mos të ndodhë. Oferta për t’u ulur, për t’u marrë vesh katër liderët është e hapur, është e gjallë, fatmirësisht ka një autor dhe ai e ka emrin Ali Ahmeti. Refuzim nuk ka nga asnjëri prej palëve në konflikt. Të shpresojmë se në momentin e fundit do të mbisundojë arsyeja para inateve dhe ndjenjës për hakmarrje. Zgjidhja e vetme nga kjo situatë janë zgjedhjet. Për të arritur te zgjedhjet ka vetëm dy rrugë: Ivanov të tërheqë dekretin e faljes që ashtu i ka komplikuar gjërat dhe katër liderët të merren vesh ose KShZ të dalë me vlerësim tjetër fare. Këtu alternativë të tretë nuk ka.”- deklaroi Xhevat Ademi nga BDI.
 
Edmond Ademi nga LSDM thotë se zgjidhja shikohet në anulimin e zgjedhjeve. Sipas tij, nuk janë krijuar as kushte minimale për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile.
 
“Zgjidhje të situatës pa vendimin e parë të Ivanovit për tërheqjen dhe anulimin e zgjedhjeve të pesë qershorit, meqë kushtet për realizmin e tyre aspak nuk janë të plotësuara, sikurse lista zgjedhore, për mediat s’dua edhe të flas aspak. As që u nisën bisedimet për mediat. Dhe e treta, ndarja e pushtetit nga partia, pasi që ju e keni liderin e VMRO-DPMNE-së që shkon dhe hap fabrika, përuron projekte, që janë projekte qeveritare. E keni parë Emil Dimitrievin, e keni parë diku si kryeministër, askund. Atëherë për çfarë zgjidhje flasim, zgjidhje vetëm për shkak të zgjedhjeve, nuk është zgjidhje ajo.”- tha Edmond Ademi nga LSDM.
 
LSDM parashikon intensifikimin e protestave edhe pas festës së Pashkëve. Ata thonë se do të jenë pjesëmarrës më aktiv deri më pesë qershor, ditën e zgjedhjeve. Por, Xhevat Ademi nga BDI konsideron se protestat mund të përkeqësojnë situatën dhe nëse shkelen afatet e fundit për dakordim, kthim mbrapa nuk ka, ndërkaq rrezikohet edhe tërheqja e faktorit ndërkombëtar.
 
MERAL ISMAILI