Maqedoni

Ramadani: “lista e zezë” e BE-së ekziston; Musliu: sanksione ndaj politikanëve doemos të ketë

27.04.2016 17:11

Edhe pse nga KE nuk duan të spekulojnë se çfarë masash do të ndërmarrin ndaj Maqedonisë nëse kriza nuk zgjidhet...

Edhe pse nga KE nuk duan të spekulojnë se çfarë masash do të ndërmarrin ndaj Maqedonisë nëse kriza nuk zgjidhet, analisti, Ismet Ramadani, thotë se zërat se BE dhe ShBA përpilojnë një listë të figurave politike, të cilat pengojnë realizimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe thellojnë krizën, janë të vërteta dhe të njëjtit së shpejti do të sanksionohen.
 
Edhe pse është herët për të folur për emrat që do të përfshihen në këtë listë, Ramadani thotë se bëhet fjalë për pako masash të cilat do të zbatohen në rast se udhëheqësit shtetërorë nuk ndryshojnë qëndrimet e tyre dhe të zgjidhin krizën politike.  
 
“Bisedohet për funksionarë të cilët pengojnë punën e Prokurorisë Speciale, edhe çka është më e keqja po pengohet nga i pari i shtetit, nga kryetari i shtetit, i cili e minoi Marrëveshjen e Përzhinës me vetë faktin se ai deklaroi se çdo aktakuzë e PS-së do të abolohet nga ai, dhe kjo patjetër duhet të ndalet nga ndërkombëtaret. Do ndëshkojnë pra në kufizim të udhëtimit të tyre, izolim në takime me përfaqësues të BE-së dhe ShBA-së, bllokimi i xhirollogarive për ata që kanë financa jashtë, e më pastaj do të vijnë faza tjera që do t’i ndjejnë qytetarët.”- deklaroi analisti, Ismet Ramadani.
 
Ramadani thotë se ndërkombëtarët do të jenë të kujdesshëm që së pari të godasin udhëheqësit shtetëror dhe nëse as kjo nuk ndikon, atëherë do të goditen qytetarët me qëllim të krijimit të presionit të brendshëm. 
 
Analisti politik, Albert Musliu, thotë se sanksione ndaj politikanëve që shkaktuan krizën dhe që nuk implementuan Marrëveshjen e Përzhinës doemos do të ketë, pasi që BE dhe ShBA në momentin që ndërmjetësuan për arritjen e marrëveshjes, morën përsipër edhe përgjegjësinë për implementimin e saj.   
 
“Nuk është vetëm listë e zezë, është një pako, të cilët i paralajmëron se do të merren. Ata i paralajmërojnë në mënyrë indirekte, sepse kur të vjen faza e paralajmërimit direkt, ato vetëm zbatohen. Nuk është vetëm pamundësia nëpër BE-në, por pako masash të cilat nënkuptojnë në një farë forme presionin ekonomik ndaj tyre, mund të ketë bllokim pronash, xhirollogarish, sepse ne e dimë që një numër i madh i tyre kanë edhe prona nëpër botë dhe mjete financiare.”- tha analisti politik, Albert Musliu.
 
Sipas Musliut, na pret një kohë e vështirë në skenën politike, pasi që ndërkombëtarët do të insistojnë që me çdo kusht të plotësohet dhe respektohet Marrëveshja e Përzhinës, por edhe funksionimi i papenguar i Prokurorisë Speciale.
 
SANIJE DURAKU