Maqedoni

Raporti i “Freedom House”, ekspertët: I pritshëm marrë parasysh situatën

27.04.2016 17:27

“Dështimi i Marrëveshjes së Përzhinës në segmentin e implementimit të reformave për media ka ndikuar që Maqedonia në raportit e ‘Freedom House’ të renditet në fund të listës për liri të shprehjes.”- vlerëson analisti, Albert Hani...

Ai thotë se një raport i tillë ka qenë i pritur, duke konsideruar faktin se mediat në Maqedoni janë të pabalancuara, të ndikuara politikisht, si dhe se mediat janë nën presion të vazhdueshëm nga partitë politike. 
  
“Mediat kanë qenë pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës, nuk u arrit marrëveshja, ose nuk u bisedua në tërësi pika që ishte për mediat. Po ashtu u paraqit edhe si kërkesë e partive opozitare për shtyrjen e zgjedhjeve të 5 qershorit. Kjo më lenë të besoj se ‘Freedom House’ vetëm po e vërteton se kushtet për zgjedhje nuk janë përmbushur.”- theksoi analisti, Albert Hani.
 
Ndërsa nga Instituti për Studime të Komunikimit thonë se në bazë të sistemit të monitorimit që ata bëjnë, vërehet se mediat kryesisht bëjnë politikë promovuese të qeverisë dhe nuk raportojnë për gjëra të vërteta që ndodhin në vend.   
 
“Një pjesë e mediave tona, qytetarëve u prezantojnë vetëm gjëra pozitive për punët e qeverisë, nuk do të thotë se nuk duhet raportuar edhe për gjëra të mira, por problemi tek ne qëndron në atë se mediat përdoren si mjet manipulativ për të shtrembëruar realitetin. Ajo që ne detektojmë në mediat nacionale është se kemi politikë redaktuese të orkestruar.”- tha Snezhana Trpevska nga Instituti për Studime të Komunikimeve.
 
Raportin e “Freedom House” e vlerësojnë si logjike dhe të pritur edhe nga ShGM, pasi, sipas tyre, në Maqedoni ka gazetarë të burgosur dhe eskalim të dhunës ndaj gazetarëve. 
 
ERSAN PAJAZITI