Maqedoni

KShZ-ja miratoi raportin për kontrollin e votuesve; LSDM: Mbi 160.000 votues të kontestueshëm

27.04.2016 17:44

KShZ-ja miratoi raportin përfundimtar nga kontrolli administrativ dhe në terren, sipas të cilit janë fshirë disa persona të vdekur dhe persona me dy numra amzë...

Ndërkaq, kanë njoftuar se do të vazhdojnë korrigjimin e Listës së zgjedhësve edhe gjatë periudhës së këqyrjes publike me kërkesë të qytetarëve dhe subjekteve politike. 
 
Mirëpo, Lista e zgjedhësve vazhdon të kontestohet nga opozita maqedonase. Sipas LSDM-së, Lista zgjedhore nuk është pastruar, prandaj nuk plotësohet as kushti bazë për mbajtjen e zgjedhjeve më pesë qershor.
 
“139.438 qytetarë janë pa adresë ose pa letërnjoftim të vlefshëm dhe mbeten në Listën e zgjedhësve, 18.269 persona që aspak nuk u janë gjetur aplikimet ose kërkesat për letërnjoftime në MPB mbeten në listë, 5.420 votues nga Pusteci akoma, sipas informacioneve tona nga KShZ-ja, mbeten në listën e zgjedhësve.”- deklaroi Stefan Bogoev nga LSDM.
 
Bogoev i bëri thirrje ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët, në kuadër të IFES, po bëjnë kryqëzimin e të dhënave brenda KShZ-së, që të deklarojnë, publikisht, nëse Lista e zgjedhësve është pastruar ose jo.  
 
“IFES është pala e tretë që duhet profesionalisht të thotë nëse Lista e zgjedhësve është e pastruar ose jo, kështu që mendimi i tyre është më shumë se dëshmi e mjaftueshme për të gjitha këto që ne e themi në lidhje me Listën e zgjedhësve dhe në aspektin e mospasjes së kushteve për zgjedhje të drejta dhe demokratike.”- theksoi Stefan Bogoev nga LSDM.
 
Bogoev, në emër të LSDM-së, iu drejtua njësisë komunale të KShZ-së në komunën Qendër për të marrë listën e plotë të votuesve në këtë komunë, por u refuzua nga punonjësit me arsyetimin se në këtë fazë të inspektimit publik ai mund të verifikojë vetëm veten. 
 
Edhe organizata CIVIL hedh dyshime mbi Listën e zgjedhësve. “Mënyra, cilësia e udhëheqjes së procesit, të gjithë dyshimet që i ngriti puna e KShZ-së dhe partitë politike për klimën në përgjithësi, tregon se si qytetar nuk mund të kemi besim në listën e zgjedhësve”. 
 
Ndërkohë, Partia Liberal-demokrate akuzoi KShZ-në se vepron me direktiva partiake dhe nën dirigjimin e pushtetit. Sipas kësaj partie, KShZ ka miratuar raportin përmbledhës për kontrollet e kryqëzuara, administrative dhe në terren nën presion. 
 
SHPËTIM NUREDINI