KRIME

Gadishulli i Krimesë shpallet Republikë Autonome

14.03.2014 10:07

Deputetët prorusë, të cilët përbëjnë edhe shumicën në Parlamentin e Krimesë, miratuan me 78 vota pro deklaratën e pavarësisë së Krimesë. Sipas kësaj deklarate gadishulli i Krimesë shpallet “Republikë Autonome”, duke bërë që ky rajon të jetë tashmë i pavarur nga Ukraina.....

Derisa, gjendja mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet e tensionuar, Parlamenti i gadishullit të Krimesë ka marrë një hap të rëndësishëm ditën e djeshme.

Deputetët prorusë, të cilët përbëjnë edhe shumicën në Parlamentin e Krimesë, miratuan me 78 vota pro deklaratën e pavarësisë së Krimesë. Sipas kësaj deklarate gadishulli i Krimesë shpallet “Republikë Autonome”, duke bërë që ky rajon të jetë tashmë i pavarur nga Ukraina.

“Një deklaratë pavarësie për Republikën Autonome të Krimesë dhe të qytetit të Sevastopolit u miratua sot nga 78 deputetë nga 81 të pranishëm”, citohet në një komunikatë për shtyp të Parlamentit të Krimesë. Ky hap vjen pak ditë përpara mbajtjes së referendumit në Krime, nëpërmjet të cilit forcat proruse po kërkojnë që Krimea të ndahet nga Ukraina dhe të bashkohet më Rusinë. Referendumi, i cili pritet të mbahet të dielën, u cilësua si antikushtetues nga autoritetet e Kievit. Këta të fundit deklaruan se nuk do të njohin asnjë referendum dhe se nuk do të lejojnë që të cenohet integriteti territorial i Ukrainës. Dje është paraqitur para medieve edhe ish-presidenti ukrainas Viktor Yanukovych, i cili ndodhet në Rusi.

“Zyrtarët dhe ushtarët e Ukrainës, besnikë ndaj betimeve të tyre nuk do të marrin urdhra kriminale nga Qeveria e ardhur me dhunë në Kiev.

“Kjo ishte deklarata e presidentit të larguar, i cili shtoi se në cilësinë e kreut legjitim të shtetit, ai mbetet një kryekomandant për Ukrainën. “Unë jam ende gjallë dhe jam akoma presidenti legjitim,” tha Yanukovych ditën e martë, në një deklaratë në qytetin rus së Rostov-on-Don.

Yanukovych shfyu për zyrtarët perëndimorë, që e njohën Qeverinë në Kiev, pavarësisht mënyrës sesi ajo erdhi në pushtet dhe për lidhjen e tyre me radikalët e krahut të djathtë. “A jeni të verbër? E keni harruar çfarë është fashizmi?” thirri ai.

Ai e kritikoi Uashingtonin për vendimin për t’u ofruar një kredi prej 1 miliard dollarë autoriteteve të reja të Kievit, duke thënë se legjislacioni amerikan ndalon mbështetjen financiare të çdo qeverie, që ka ardhur në pushtet me dhunë duke rrëzuar një kryetar shteti të zgjedhur në mënyrë legjitime. Yanukovych tha se do t’u kërkojë ligjvënësve amerikanë të diskutojnë për këtë shkelje.