UShT prezantoi ofertën e re për maturantët, dy fakultete dhe 16 programe të reja studimore
Universiteti i Tetovës ka përfunduar prezantimin para maturantëve të ofertës së re akademike për vitin akademik 2016/2017...

Dy fakultete të reja, ai i Bujqësisë dhe i Pedagogjisë, si dhe 16 programe të reja studimore në kuadër të fakulteteve ekzistuese janë pjesë e ofertës. Drejtuesit e UT-së shpresojnë që kjo ofertë të tërheq studentët e ardhshëm.
“Ky vit akademik ka një ofertë më të begatë, më të pasur, për shkak se do të hapen 16 programe studimore të reja në kuadër të fakulteteve që janë dhe dy fakultete të reja, ia i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë dhe fakulteti Pedagogjik.”- deklaroi përgjegjësi i Zyrës për Arsim në UT, Ibrahim Neziri.
Studentët potencialë janë pritur nga kolegët e tyre të ardhshëm, të cilët i informuan maturantët me gjithçka që ofron UT. Ata ftuan maturantët të përcaktohen sidomos për degët deficitare.
“Kemi prezantuar disa aktivitete të drejtimit tonë për tre vite radhazi që ne i kemi organizuar për fëmijët me pengesa në zhvillim dhe njëkohësisht e kemi paraqitur para maturantëve makinën e Brajlit, mjet i vetëm me të cilin shkruajnë fëmijët e verbër.”- tha një studente e Fakultetit Filozofik-Dega Edukim Rehabilitim.
“Duke marrë parasysh se jemi një numër i vogël i studentëve në këtë drejtim, në mekatronik, gjeodezia, ndërtimtaria, si dhe arkitektura, janë të nevojshme që studentët të jenë më të kyçur në këto drejtime edhe pse flitet se mund të mbyllet, me shpresë se nuk do të mbyllet, pasi nga ky drejtim nuk mund të mbetesh pa punë.”- theksoi një studente në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara.
Drejtuesit e UT-së janë të kënaqur me maturantët që i kanë vizituar gjatë ditëve të hapura dhe shpresojnë që shumë prej tyre të jenë në tetor pjesë e Universitetit të Tetovës. (Visar Sadiki, TVM2)
