Maqedoni

Raporti i “Freedom House”, ShGM: Nuk ka media të lira kur burgosen gazetarët

28.04.2016 16:14

ShGM vlerëson se Raporti për lirinë e mediave i “Freedom House” arriti të ekspozojë fytyrën e vërtetë të një sistemi autoritar që jo vetëm që shkel masivisht të drejtat dhe liritë e qytetarëve...

ShGM vlerëson se Raporti për lirinë e mediave i “Freedom House” arriti të ekspozojë fytyrën e vërtetë të një sistemi autoritar që jo vetëm që shkel masivisht të drejtat dhe liritë e qytetarëve, por ka robëruar edhe mediat dhe i ka kthyer ato në makineri propagandistike për të manipuluar qytetarët. “Freedom House” ka elaboruar të njëjtat çështje që ne kemi biseduar vite me radhë, thonë nga ShGM.
 
“Në raportin e fundit Maqedonia humbi pozicionin e vendit me liri të pjesshme të mediave dhe është tani në vendin ku fare nuk ka liri. Si ne në Evropë janë vetëm edhe Turqia dhe Rusia... Pushteti ka injoruar vazhdimisht paralajmërimet e ShGM-së se për shkak të politikave të këqija ndaj mediave, Maqedonia rrezikshëm u afrohet vendeve jodemokratike.”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Duke u ndalur edhe në presionet ndaj gazetarëve, nga ShGM thonë se nuk mund të ketë media të lira në një vend ku gazetarët burgosen për shkak të teksteve  të publikuara.
 
“Pushteti me qëllim po përdor këto raste kundër gazetarëve. Jo për të dënuar Bozhinovskin, por për të tmerruar dhe frikësuar gazetarët e tjerë që mos të flasin dhe mos të shkruajnë për keqpërdorimet masive të pushtetit të kësaj Qeverie. Për çfarë spiunimi mund të dënohet Bozhinovski, kur gjithë shteti është shndërruar në një vesh të madh, kur shërbimi sekret i atij vendi përgjon në mënyrë masive qytetarët.”- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Dëmtimi i mediave të lira tashmë është bërë edhe nga ata që shkaktuan dëmin, që nuk mund të riparojnë pasojat, thonë nga SHGM. 
 
Ndërkohë, gazetari, Zoran Bozhinovski, për herë të parë u paraqit në Gjykatë, por avokati mbrojtës kërkoi shtyrje të gjykimit për të pasur më shumë kohë për t’u përgatitur. 
 
Bozhinovski u burgos më 21 prill në Novi Sad të Serbisë dhe me procedurë të përshpejtuar u ekstradua në Maqedoni si i akuzuar për rastin “Spiuni”.
 
GAZMEND REXHEPI