Maqedoni
KShZ po zgjedh 80 KZK-të
28.04.2016 17:28
KShZ duhet të zgjedh anëtarët e rinj të komisioneve zgjedhore komunale, kryetarë dhe zëvendëskryetarë të 80 KZK-ve...

Konform Kodit Zgjedhor, KShZ-ja, në afat prej pesë ditëve nga marrja e të dhënave nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, formon komisionet zgjedhore komunale dhe Komisionin Zgjedhor të Qytetit të Shkupit.
Tetëqind anëtarë të KZK-ve duhet të zgjidhen me zgjedhje të rastësishme nga radhët e administratës shtetërore, komunale dhe asaj të Qytetit të Shkupit. Ende nuk është vendosur nëse përbërjet e këshillave vendor do të ndryshohen tërësisht ose vetëm do të plotësohen venet e zbrazëta.
Pas formimit të komisioneve zgjedhore komunale, KShZ-ja, në afat prej tre ditëve, i dorëzon deri te KZK-të të dhënat për të punësuarit në administratën shtetërore, komunale, administratën e Qytetit të Shkupit dhe administratën publike, për shkak të formimit, gjegjësisht plotësimit eventual të këshillave zgjedhorë me anëtarë dhe zëvendësanëtarë të rinj, në vend të anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve, të cilëve, në baza të ndryshme, iu ka mbaruar mandati.
Më 1 Maj, KShZ-ja do të kërkojë nga partitë politike në opozitë, të cilat në zgjedhjet paraprake për deputetë kanë fituar më tepër vota dhe deri te partitë politike në pushtet, të cilat në zgjedhjet paraprake për deputetë kanë fituar më tepër vota, të parashtrojnë propozime për anëtarë të KZ-së dhe zëvendës të tyre, për formim, gjegjësisht plotësim eventual të përbërjes së këshillave zgjedhorë me anëtarë dhe zëvendësanëtarë të rinj edhe pse ky është obligimi i komisioneve zgjedhore komunale.
Në ndërkohë, po vazhdon këqyrja publike e Listës së zgjedhësve, e cila do të zgjasë 15 ditë, përkatësisht deri më 9 maj. Kontrolli në listën elektronike të zgjedhësve mund të bëhet vetëm me numrin amzë, ndërkaq kontrolli në njësitë rajonale bëhet personalisht, me dokument identifikimi.
Nëse Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk e publikon listën në faqen e tij zyrtare me emër, mbiemër dhe adresë, LSDM-ja ka kërcënuar se do të ngrejë padi penale kundër këtij institucioni për shkelje të Kodit Zgjedhor.
SHPËTIM NUREDINI
