Botë

Turqi, plasin grushtet në mes të parlamentit

28.04.2016 18:02

Deputetët e Parlamentit turk janë përfshirë në një përplasje fizike pas një debati që nisi për shkak të çështjes kurde...

Përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, në të cilën bëjnë pjesë presidenti Erdogan dhe kryeministri Davutoglu, janë konfrontuar me ligjvënësit e Partisë Demokratike të Popullit, forcë politike që kryesohet nga Selahatin Demirtas.

Gjithçka nisi kur deputeti i Partisë Demokratike të Popullit, Ferhat Encu, e hapi fjalimin e tij duke deklaruar se qeveria kishte vrarë dhe masakruar qytetarë dhe fëmijë të pafajshëm të etnisë kurde në rajonin juglindor të vendit.

Përfaqësuesit e kësaj force politike kanë mbajtur një qëndrim pro-dhënies së autonomisë ndaj kurdëve. Por, nuk janë të të njëjtit mendim përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, të cilët e ndërprenë fjalimin e deputetit.

Pas kësaj, palët nisin të lëshojnë akuza dhe kundërakuza. Qeveritarët deklaruan se opozita po mbështet terroristët, ndërkohë që deputetët e Partisë Demokratike të Popullit nisën të bërtasin fjalë të ndryshme si vrasës, masakrues etj.

Një gjë e tillë ka detyruar drejtuesit e parlamentit që të shtyjnë edhe votimin për ratifikimin e marrëveshjes së emigrantëve që qeveria e Ankarasë ka firmosur me Bashkimin Evropian.