Maqedoni

APKE: Bojkoti nuk është zgjidhje, zbatoni marrëveshjen

28.04.2016 18:10

Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës fton të gjitha forcat politike të vendit të dëshmojnë përgjegjësi ndaj zgjedhjeve të 5 qershorit dhe të zbatojnë Marrëveshjen e Përzhinës...

Thirrja vjen pas qëndrimit të tyre dyditor në Shkup për të vlerësuar situatën paraelektorale. Kryesuesi i delegacionit, Stefan Shenah, thotë se për zgjedhje të besueshme do të duhet të pastrohet lista zgjedhore.
 
Si shqetësuese është mospjesëmarrja e LSDM-së, por edhe e BDI-së dhe PDSh-së në zgjedhje.
 
“Ftojmë partitë që deri më 11 maj të përpiqen të zbatojnë tërësisht Marrëveshjen e Përzhinës, që është thelbësore për mbajtjen e zgjedhjeve. Tanimë e dimë që tre nga katër parti politike kryesore nuk do të marrin pjesë në zgjedhje në rast se nuk përmbushen parakushtet, siç janë: zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës dhe pastrimi i listës së zgjedhësve. Ajo që duhet të jetë e shenjtë është lista zgjedhore.”- deklaroi kryesuesi i delegacionit të KE-së, Stefan Shenah.
 
Raportuesja për Maqedoninë në Këshillin e Evropës, Lise Kristofersen, thotë se partitë do të duhet në këtë periudhë të ulen dhe të merren vesh për mbajtjen e zgjedhjeve të 5 qershorit në rast se KShZ konstaton se lista nuk është pastruar.
 
“Nëse më 20 maj KShZ nuk firmos listën zgjedhore, unë pres që partitë politike bashkë të punojnë për zgjidhjen e situatës, për t’i shtyrë zgjedhjet apo për t’i dhënë KShZ-së disa javë shtesë të pastrojë listën zgjedhore. Përgjegjësia për gjetjen e zgjidhjes u mbetet politikanëve.”- tha raportuesja për Maqedoninë në KE, Lise Kristofersen.
 
Këshilli i Evropës fton presidentin, Gjorge Ivanov, që urgjentisht të tërheqë vendimin për faljen e politikanëve, pasi që hapi i tillë polarizoi shoqërinë dhe rëndoi punën e Prokurorisë Speciale. Protestat cilësohen si të qeta dhe të drejta.
 
Kryesuesi i delegacionit të Evropës, edhe pse nuk deshi të prejudikojë se çfarë masash do të ndërmarrë Brukseli, u shpreh i sigurt se do të ndërmerren masa konkrete.
 
Votimin e 5 qershorit misioni i Këshillit të Evropës do ta monitorojë me 22 anëtarë. Informacion i parë për mbarëvajtjen e procesit do të publikohet menjëherë pas zgjedhjeve, i dyti në tetor, ndërkaq raporti përfundimtar në janar të vitit të ardhshëm.
 
MERAL ISMAILI