Kriza politike, bankat janë stabile

29.04.2016 12:33

Kursimet e qytetarëve dhe kompanive janë të sigurta në banka, ndërsa sektori bankar është likuid, qetësojnë bankierët...

Bankieret thonë se në këtë periudhë ka tërheqje të shtuar të parave nga bankat, porse kjo është e zakonshme para festave dhe nuk është alarmuese.

“Për momentin bankat kanë tepricë të mjeteve likuide dhe janë të gatshme t’i plotësojnë të gjitha nevojat e qytetarëve. Të gjithë ata që kanë nevojë të tërheqin mjete, munden në çdo kohë të shkojnë në banka dhe menjëherë të shërbehen siç ka qenë edhe deri tani. Të gjithë ata që duan shërbime të këmbimeve, të blejnë euro, do të shërbehen menjëherë dhe se euro nëpër banka ka në sasi të mjaftueshme.”- thonë nga Shoqata e bankierisë.

Guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Dimitar Bogov, deklaroi se paratë e qytetarëve më të sigurta janë në banka, kursi i denarit është i qëndrueshëm dhe nuk ka rrezik për devalvim.

Sipas të dhënave, në muajin mars ka rritje të kursimeve prej mbi 22 milionë euro, ndërsa nëpër banka ruhen rreth 5 miliardë euro kursime të qytetarëve dhe kompanive. Niveli i rezervave devizore tani është rreth 2.3 miliardë euro, që sipas BPM-së është mbi nivelin që e rekomandon FMN-ja.