Botë

Azem Syla kthehet nga Shqipëria, i dorëzohet Policisë së Kosovës

29.04.2016 13:11

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Azem Syla, i cili prej disa ditësh ishte në kërkim të [olicisë së Kosovës dhe EULEX-it...

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Azem Syla, i cili prej disa ditësh ishte në kërkim të [olicisë së Kosovës dhe EULEX-it, i është dorëzuar policisë, përkatësisht ai është arrestuar në pikën kufitare në Vermicë, përderisa kthehej nga Shqipëria.
 
Këtë e ka konfirmuar zyra për informim në Policinë e Kosovës dhe avokati i tij, Tom Gashi, i cili ka thënë se Syla është kthyer nga Shqipëria për t’u përballur me drejtësinë.
 
Ndërsa nga Policia e Kosovës konfirmojnë se personi A. S. është paraqitur në pikën kufitare Vermicë për të kaluar kufirin nga Shqipëria për në Kosovë, dhe i njëjti në bazë të urdhëresës është shoqëruar nga zyrtarët policorë për procedura të mëtutjeshme. 
 
Syla, i cili dje dha dorëheqje nga të gjitha postet publike, dyshohet për krim të organizuar dhe shpëlarje parash, ndërsa pas arrestimit është dërguar në prokurorinë e EULEX-it për t’u intervistuar. 
 
Prokuroria ka shpjeguar se hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla.
 
"Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publik", thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
 
GYLTENE SINANI