Analistët: Pa faktorin ndërkombëtar, kriza politike do të vazhdojë edhe gjatë
Nga ky ngërç ose labirint në të cilin ndodhet Maqedonia dhe gjyqësia, mund të dilet vetëm nëpërmjet ndikimeve të faktorit ndërkombëtar...

Kështu vlerëson analisti politik, Albert Hani, sipas të cilit ideja që nxiti ardhjen e prokurores speciale në skenë si duket nuk është e mjaftueshme, sepse flitet për përgjegjësi jo vetëm politike, ekonomike dhe sociale, por edhe personale.
Prandaj, sipas tij, duhet menduar edhe për një sferë tjetër të ndëshkimit të personave ose politikanëve të cilët kanë akte inkriminuese, duke kyçur edhe sisteme ndërkombëtare, të cilët mund t’a mbrojnë jo vetëm prokuroren speciale, por edhe të gjithë qytetarët nga krimet e bëra nga politikanët.
“Duhet menduar po ashtu edhe mënyrën se si mund të kyçen edhe institucionet evropiane, posaçërisht institucionet gjyqësore evropiane të cilët mund jo vetëm t’a ndëshkojnë sistemin gjyqësor këtu, por edhe tërë Qeverinë. Kështu që përgjegjësia personale të marrë pak edhe dimensione ndërkombëtare, me qenë se ky ngërç do mbese për gjatë kohë gjer sa nuk mendohet për mënyra tjera më kreative, siç është prokurorja speciale, por edhe gjyqi special.”- deklaroi analisti politik, Albert Hani.
Edhe analisti, Petar Arsovski, e sheh të rëndësishëm rolin e bashkësisë ndërkombëtare. Ndërsa për momentin ai nuk beson se do të ketë sanksione ndaj shkaktarëve të krizës politike.
“Nuk mendoj që duhet dhe mundet të kyçet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në ndëshkimin e përgjegjësve të krizës politike, por vlerësoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë më aktiv në zgjidhjen e krizës politike, duke imponuar edhe idenë për formimin e Gjykatës Speciale, pasi që PS e vetme nuk mund të funksionojë. Për momentin unë nuk pres sanksione nga BE dhe ShBA, pasi që ata do të veprojnë me një pako masash, e cila do kohë për t’u bërë gati.”- tha analisti, Petar Arsovski.
Sipas analistëve, udhëheqësit e partive politike kanë humbur kontrollin mbi situatën aktuale dhe me veprimet e njëpasnjëshme që ndërmarrin vetëm se po thellojnë krizën politike, e cila nëse së shpejti nuk merr një epilog pozitiv, do të shkaktojë pasoja të mëdha, si për qytetarët ashtu edhe për vetë shtetin dhe institucionet. (Sanije Duraku, TVM2)
