Ekonomi

Kuqi, zhvilloi, vizitën , parë, jashtë ,vendit, Tiranë

29.04.2016 16:44

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Driton Kuqi, ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në Tiranë...

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Driton Kuqi, ka qëndruar sot për vizitë zyrtare në Tiranë, ku është pritur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, ministrin e Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti, dhe ministrin e Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.
 
Në këto takime ministri Kuqi tha se bashkëpunimi i shkëlqyer ekonomik me Shqipërinë do të vazhdojë edhe më tej, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe dhe me zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes CEFTA, nënshkruese e të cilës janë dy vendet, duke zbatuar masa në drejtim të lehtësimit të shkëmbimit tregtar dhe në rritjen e numrin të turistëve në dy vendet. 
 
“Objekt i bisedës sonë të përbashkët ishte ndërtimi i largpërçuesit Manastir- Elbasan, projekt i cili do të ndihmojë të krijohet një stabilitet i qëndrueshëm sa i përket furnizimit me energji elektrike.”- deklaroi ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Driton Kuqi.
 
Gjatë takimit me ministrin Xhiknuri, dy ministrat vlerësuan lartë bashkëpunimin mes dy vendeve në sferën energjetike, duke theksuar se me ndërtimin e largpërçuesit interkonektiv midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, i cili ndërlidh Manastirin dhe Elbasanin me linjë 400 KV, për dy vendet hapen mundësi të reja bashkëpunimi dhe kyçje në tregun rajonal. 
 
“Diskutuam edhe për çështjet e gazit natyror, ecurinë e projektit TAP, mundësitë e lidhjes së Shqipërisë me Maqedoninë, bashkëpunimin që mund të kemi në këtë fushë dhe fushat tjera ekonomike.”- tha ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.
 
Ndërsa ministri Panariti ka falënderoi ministrin Kuqi për kontributin e tij në zgjidhjen e problemit me bllokimin e kamionëve nga Shqipëria me prodhime të hershme bujqësore, të cilat ditë më parë u ndaluan nga Inspektorati bujqësor në vendkalimin Bllacë.
 
Ministri Kuqi me këtë rast theksoi se tregtia mes dy vendeve duhet të zhvillohet pa pengesa, ndërsa informoi ministrin Panariti se me kërkesë të tij Qeveria e Maqedonisë ka marrë vendim që mallrat në të ardhmen të vendosen në depo adekuate deri sa të kryhen kontrollet fitosanitare. 
 
REXHEPI QAMILI