Maqedoni
Zëvendëskryeministri i SIMO-së, Festim Halili, takoi ambasadoren e Gjermanisë, Althauser
29.04.2016 16:55
Zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili, në takimin e realizuar me ambasadoren gjermane në vend...

Zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili, në takimin e realizuar me ambasadoren gjermane në vend, Christine D. Althauser, kanë diskutuar për situatën politike në vend, proceset integruese, si dhe zbatimin e plotë të MO-së.
Për këtë të fundit zëvendëskryeministri Halili ka njoftuar ambasadoren gjermane për raportin për shqyrtimin e Marrëveshjes së Ohrit për kohezion social, i cili buron nga dialogu i nivelit të lartë që Maqedonia zhvillon me BE-në, i cili duhet të shërbejë si bazë e re për zbatimin e MO-së.
Ambasadorja Althauser potencoi se Ambasada e Gjermanisë përkrah zbatimin e plotë të MO-së dhe shprehu gatishmëri për të ndihmuar këtë raport, sidomos në pjesën e zbatimit të rekomandimeve.
Ajo nënvizoi se Maqedonia, si shtet multietnik, është shembull për Evropën dhe se marrëdhëniet e mira ndëretnike mbeten bazë e MO-së. Gjithashtu anëtarësimi i vendit në strukturat euroatlantike dhe BE mbeten prioritet dhe se në këtë drejtim rol të rëndësishëm luan edhe Marrëveshja e Ohrit.
Sa i përket situatës politike, bashkëbiseduesit ranë dakord se partnerët e koalicionit qeveritar duhet të dëshmojnë guxim politik dhe lidership për të tejkaluar krizën politike që Maqedonia dhe ajo të mbetet në kursin e duhur drejt integrimit evropian.
Duhet të përmbushen kushtet e Marrëveshjes së Përzhinës, që të kemi zgjedhje të lira, demokratike dhe kredibile.
