Maqedoni

Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, vizitoi Sh. F. “Faik Konica” në fshatin Dobrosht

29.04.2016 17:15

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, vizitoi ShFK “Faik Konica” në fshatin Dobrosht, në komunën e Tearcës...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, vizitoi ShFK “Faik Konica” në fshatin Dobrosht, në komunën e Tearcës, me rastin e shënimit të 50 vjetorit të shndërrimit të të shkollës katërvjeçare në nëntëvjeçare. Me këtë rast ministri i dëshiroi sukses kuadrit arsimor, nxënësve dhe udhëheqësisë  së shkollës. 
 
“Nga kjo kështjellë e dijes për këtë periudhë kohore dolën nxënës të cilët mbaruan shkollim të lartë dhe u bënë rreze të dritës në univers, me qëllim që të sfidohet injoranca si e keqja më e madhe e njerëzimit.”- ka theksuar ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.  
 
Ministri Lutfiu shtoi se është një nder i madh për të që sot para tij gjenden ata të cilët nga vetja dhanë të gjithë potencialin e vet intelektual dhe fizik me qëllim që të edukohen dhe të arsimohen breza të tërë, breza të cilët u vunë në ballë të popullit të tyre.
 
“Shkolla ka një domethënie të veçantë për popullin tim, sepse me të ka ruajtur identitetin, gjuhën dhe kulturën, bashkë me të ka kultivuar ndjenjën për liri dhe ndjenjën për të qenë i barabartë me të gjithë popujt e tjerë. Këto vatra të dijes kanë qëndruar historikisht ndaj sfidave nga më të ndryshmet të kohës.”- u shpreh Lutfiu.