Maqedoni

Eneda Tarifa, vizitë në hapësirat e TVM2; Zhulali pret mbështetjen e të gjithë shqiptarëve; Qaili: Shqiptarët e Maqedonisë mbështesin Shqipërinë

29.04.2016 17:40

Kënga e Shqipërisë në Eurovision do ketë zërin e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve edhe në Kosovë e në trojet tjera etnike...

Kënga e Shqipërisë në Eurovision do ketë zërin e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve edhe në Kosovë e në trojet tjera etnike, edhe në diasporë–në Evropë, ShBA dhe kudo në botë, tha sot Eneda Tarifa, e cila qëndroi në hapësirat e TVM2 për të prezantuar përmes servisit publik këngën shqiptare në Eurosongun e sivjetmë.
 
Ajo pret mbështetjen e të gjithëve në kompeticionin e sivjetmë të Eurosongut.
 
“Jam e lumtur që gjendem këtu, vërtet e kisha lënë Shkupin për në fund dhe kjo jo pa qëllim, meqë ndjej një afërsi me këtë qytet dhe me shtetin në përgjithësi. Ja ku jam, që përveç fjalëve të mira nga të cilat u frymëzova edhe u emocionova për të thënë që është një angazhim i madh, një detyrë e madhe, një punë e jashtëzakonshme, e madhe e gjithë stafit dhe e të gjithë grupit realizues të RTVSh-së për t’u paraqitur në atë festival sa më mirë. Është festivali i 13-të që ne marrim pjesë, si numër mua nuk më parapëlqen, po jam e bindur që në kuptimin profesional do të bëj më të mirën time, që të përfaqësohemi sa më mirë.”- deklaroi përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurosong, Eneda Tarifa.
 
Edhe kompozitori, Edmond Zhulali, thotë se pret mbështetjen e të gjithëve në gjysmëfinale me shpresën që Eneda të përfaqësojë kombin shqiptar edhe në finalen e madhe. TVSh po bën gjithçka që është e mundur që kënga të marrë marketingun e duhur në sa më shumë vende përpara festivalit, por pa dyshim, sipas tij, është e nevojshme mbështetja e të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë. 
 
“Eneda është një këngëtare shumë e mirë e Shqipërisë, por jo vetëm e mirë, po edhe një artiste e kompletuar, një showmene e shkëlqyer, ndoshta ndër më të spikaturat në vlerat e saj artistike, kështu që ne sivjet jemi shumë të gëzuar që paraqitemi me një artiste si rrallë ndonjëherë tjetër, jo vetëm me një vokal të mrekullueshëm, me një përvojë, por një artiste me të gjitha elementet që kërkon festivali evropian.”- tha kompozitori, Edmond Zhulali.
 
Ndërkohë, kryeredaktori i Programit Rekreativo-Zbavitës thotë se shqiptarët e Maqedonisë do të përkrahin Shqipërinë, por tani kanë edhe një arsye më shumë, sepse Eneda Tarifa, një vokal i mrekullueshëm, përfaqëson Shqipërinë.
 
“Ne shqiptarët e Maqedonisë nuk do t’a tradhtojmë edhe kësaj radhe, do të votojmë për Eneda Tarifën dhe për Shqipërinë, jo vetëm se është Shqipëria, por se vërtet është këngë e bukur, e kemi dëgjuar të gjithë, e kemi transmetuar, dhe presim edhe kësaj radhe maksimumin e pikëve. Thashë, jo pse është Shqipëria, por sepse e meriton.”- theksoi redaktori i Programit Rekreativo-Zbavitës në TVM2, Avni Qahili.
 
Këngëtarja, Eneda Tarifa, do të paraqitet në festivalin më të madh të këngës në Evropë së bashku në skenë me tre këngëtarë bekvokalistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. 
 
Eneda Tarifa me këngën “Përrallë” është fituesja e Festivalit të  54-ër të Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa në Eurovision do të performojë në natën e dytë të këtij festivali, në 12 maj.
 
ARDITA IMERI