Maqedoni

Agjencia për shërbime audio dhe audio-vizuele: TVM2 raporton drejtë për zhvillimet politike

29.04.2016 17:48

TVM2-programi në gjuhën shqipe-vlerësohet të ketë raportuar drejtë në dhjetëditëshin e parë pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme...

Sipas raportit të Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuele, është vlerësuar se në lajmet e TVM2 hapësirë u jepet një numri të madh të partive politike, përfshirë edhe partitë jashtëparlamentare, pa komentuar qëndrimet e tyre. 
 
“Në edicionet informative, TVM2 informoi për aktivitetet dhe qëndrimet e shumë partive politike, si ato parlamentare, gjithashtu edhe ato jashtëparlamentare. Për zhvillimet në vend, raportohet përmes kronikave dhe lajmeve, ku i prezanton qëndrimet e partive politike, pa komentuar. Për protestat raportohet nga gazetarë në terren, në mënyrë faktografike, me përpunim të barabartë gazetaresk për grupet e ndryshme që protestojnë.”- thuhet në raportin e Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuele. 
 
Në raportin e AShMAA-së është theksuar se pesë televizione kanë raportuar në mënyrë joobjektive dhe kanë bërë propagandë për partinë qeveritare VMRO-DPMNE.
 
Agjencia ka vërejtur se të gjithë pesë televizionet raportojnë thuajse në mënyrë të njëjtë, me një politikë të sinkronizuar. 
 
“Pesë shërbime programore televizive: Sitel, Alfa, Kanal 5, Kanal 5 Plus dhe TV Nova nuk i respektojnë parimet nga neni 61 i Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuele, sidomos atë me të cilën kërkohet raportim objektiv dhe të paanshëm të ngjarjeve me trajtim të barabartë të pikëpamjeve dhe mendimeve të ndryshme dhe mundësim që publiku lirshëm të formojë mendime për ngjarje dhe çështje të caktuara.”- është vlerësuar në raportin e Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuale.
 
Ky ishte raporti i parë i Agjencisë për raportimin e mediave pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2016. Monitorimi është bërë në periudhën prej 15 deri më 24 prill.
 
ERSAN PAJAZITI