Maqedoni

Prokuroria Themelore Publike: Vazhdon hetimi i vdekjes së Kërpaç

29.04.2016 17:59

Prokuroria Publike e Maqedonisë përmes një komunikate me shkrim ka njoftuar sot se lidhur me vdekjen e Kosta Kërpaç, para dy ditësh, akoma nuk ka detaje përfundimtare...

Nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë thonë se mbrëmë është marrë vendim të bëhen ekspertiza plotësuese.
 
“Prokuroria Themelore Publike gjatë ditës së djeshme, në orët e vona të pasdites është koordinuar dhe konsultuar me mjekësinë ligjore dhe repartin e teknikës kriminalistike në MPB, për kryerjen e analizave të reja plotësuese dhe ekspertiza, me qëllim të zbardhjes së rastit”, njoftojnë nga Prokuroria.
 
Nga ky institucion nuk duan t’i komentojnë informatat se obduksioni i trupit të Kosta Kërpaç tashmë ka përfunduar. Për prokurorët, thonë prej atje, asnjë analizë nuk ka përfunduar derisa t’a marrin raportin për rastin. 
 
Gjatë ditës së djeshme Prokuroria Speciale e Katica Janevës, përmes një komunikate me shkrim, njoftoi mediat se Kosta Kërpaç ka qenë dëshmitar i tyre dhe se kanë prova se ai ka qenë nën presionin e dikujt. Nga Prokuroria Speciale  thanë se do t’i tregojnë organeve të hetimit nëse ata shprehin interesim për të ditur se kush i ka bërë presion. 
 
Në ndërkohë, nga Prokuroria Publike thuhet se shqyrtimi i rastit deri në fund, si dhe zbardhja e shkakut të vdekjes së Kërpaç do të shqyrtohet pas festave.