Maqedoni
Osmani: Brukseli kërkon kompromis për krizën
29.04.2016 18:22
Brukseli doli sërish me mesazh deri te katër liderët e partive më të mëdha politike në vend për arritjen e kompromisit për krizën politike në vend...

Mesazhi vjen nga eurokomisioneri, Johanes Han, dhe tre eurodeputetë, ndërsa liderëve u është bartur nga euroambasadori, Aivo Orav.
Mesazhin e Hanit dhe eurodeputetëve për liderët e konfirmon zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, sipas të cilit java e ardhshme paraqet kohën e fundit kur partitë politike duhet të dalin me qëndrim rreth zgjidhjes së krizës.
“Kjo letër është në kuadër të komunitetit ndërkombëtar, që partitë të tejkalojnë vetveten dhe të pranojnë kompromisin për një dalje të përbashkët nga kriza... Shpresojmë se partitë politike maqedonase, të cilat po mbajnë peng këtë proces, të reflektojnë në këto festa dhe të pranojnë një kompromis për dalje të përbashkët nga kriza, nëse jo atëherë javën e ardhshme edhe BDI do të sjellë vendimin se çka më tutje dhe cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm.”- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit, edhe prononcimi i shefit të Delegacionit të Këshillit të Evropës, Stefan Shenah, për mospjesëmarrjen e tre partive, LSDM, BDI dhe PDSh duhet kuptuar në drejtim të asaj se zgjedhjet jogjithëpërfshirëse nuk zgjidhin krizën. Osmani thotë se edhe ndikimi i ndërkombëtarëve mund edhe të zbehet.
“Ne tentuam këto ditë me ato iniciativa tona, me aktivitetet tona që t’u themi ndërkombëtarëve ne kemi kapacitet, ende ka mbetur kapacitet në Maqedoni për të gjetur konsensus në interes të qytetarëve dhe pastaj ata të vijnë të na ndihmojnë siç na ndihmuan me marrëveshjen e Shkupit. Presim deri në javën e ardhshme se çfarë epilogu do të ketë.”- tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
VMRO–DPMNE dhe LSDM nuk lëvizin nga pozicionet e tyre. Nga VMRO thonë se përgatitjen për zgjedhjet e 5 qershorit po realizohen dhe nuk do të shkelin kushtetutën për të shtyrë zgjedhjet. LSDM kërkon që presidenti Ivanov të tërheq vendimin për falje si dhe të shtyhen zgjedhjet e 5 qershorit.
Se nuk ka kushte për zgjedhje janë shprehur edhe nga partia e Thaçit, të cilët nuk përjashtojnë mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve.
MERAL ISMAILI
