Botë

Shembet godina në Kenia, shtatë të vdekur dhe dhjetëra të bllokuar në rrënoja

30.04.2016 12:33

Ekipet e shpëtimit në qytetin kenian, Nairobi, po vazhdojnë edhe më tej kërkimet për dhjetëra njerëz...

Ekipet e shpëtimit në qytetin kenian, Nairobi, po vazhdojnë edhe më tej kërkimet për dhjetëra njerëz, për të cilët dyshohet se janë bllokuar nën rrënojat e një ndërtese, e cila është shembur mbrëmë nga vërshimet, duke lënë të vdekur të paktën shtatë persona. 
 
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e Kryqit të Kuq, të cilët kanë kritikuar “skenat kaotike” të krijuara në vendin e ngjarjes.
 
"Ajo që ne jemi në gjendje ta kumtojmë është se atje ka disa persona. Nuk kemi mundësinë të  identifikojmë nëse janë meshkuj apo femra. Por ata po flasin. Dhe njëri nga ata ishte në gjendje të na informojë se atje pë rreth tij ka aktualisht edhe njerëz të  tjerë”, shprehet drejtoresha e komunikimit në Kryqin e kuq Anolda Shiundu.
 
Sipas të dhënave të Policisë, të paktën 121 persona janë shpëtuar, ndërsa akoma nuk dihet numri i saktë i personave të ngujuar në ndërtesë. 
 
Reshjet e vazhdueshme në Kenia kanë shkaktuar rrëshqitje të tokës edhe në zona të tjera, mirëpo përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për njerëz të vdekur apo të lënduar.
 
Sipas Policisë, numri i përgjithshëm i të vdekurve në Kenia ka arritur në 14 njerëz.
 
Lagjja “Huruma” e cila gjendet në periferi të Nairobit, ka rrugë të ngushta dhe hapësira të vogla, gjë që ka ndikuar në bllokimin e rrugëve dhe vonimin e ekipeve të shpëtimit në vendin e ngjarjes.