Maqedoni
Janeva për “Financial Times”, akuza të reja kundër personave të aboluar
30.04.2016 17:43
Prokuroria Publike Speciale do të vazhdojë të ngre akuza të reja kundër personave të përfshirë me vendimin për abolim të presidentit Ivanov...

Katica Janeva zbulon për prestigjiozen londineze “Financial Times” se nuk do t’u nënshtrohet pengesave nga pushteti, ndërsa vendimin për abolim të presidentit Ivanov e quan si vendim pa bazë juridike.
“Nëse presidenti ka për qëllim që të vazhdojë me abolimin apo faljen e personave që janë të akuzuar, ai do të ketë shumë punë, pasi që ne nuk do të ndalemi”, ka thënë Janeva për “Financial Times”.
Në artikullin me titull “Gruaja e guximshme nga qyteti i vogël, që dridhi elitën maqedonase”, gazeta e përshkruan prokuroren speciale si “kamxhik për elitën e korruptuar të Maqedonisë dhe ikonë e pazakontë e protestave, gjatë kohës së krizës politike”.
Në përshkrimin e sfidave me të cilat përballet institucioni i dalë nga Marrëveshja politike e Përzhinës, gazeta konstaton se zyra e Prokurorisë Speciale në Maqedoni përballet me shumë pengesa, në mesin e të cilave edhe me sigurimin e dëshmitarëve, nga të cilët shumë persona frikohen të bashkëpunojnë për shkak të mbikëqyrjes së përforcuar, ndërsa theksohet se të mërkurën dëshmitari kryesor i kësaj prokurorie është qëlluar për vdekje, në banesën e tij, në Shkup.
Gazeta, madje, thekson se Janeva ajo është përballur me akuza dhe sulme personale dhe mungesë bashkëpunimi nga ana e institucioneve të tjera.
Gazeta shkruan edhe për mohimin e ish kryeministrit se ka keqpërdor pushtetin dhe ka kryer vepra të kundërligjshme, por edhe për akuzat se pas zhvillimeve në Maqedoni qëndrojnë shërbime të huaja që duan të destabilizojnë vendin.
SHPËTIM NUREDINI
