Botë
1 Maji me protesta të dhunshme në Gjermani, protesta edhe në vende tjera të botës
01.05.2016 14:01
Dita ndërkombëtare e Punëtorëve është pritur me protesta në Gjermani, teksa mijëra aktivistë të majtë marshuan në rrugët e Hamburgut duke krijuar një situatë të tensionuar...

Afro 2.000 persona u mblodhën duke mbajtur në duar pankarta si dhe duke thirrur në kor fraza që mbrojnë të drejtat e punëtorëve.
Për shkak të dhunës, policia u detyrua që të shoqëronte dhjetëra protestues, por nuk bëri publik numrin e saktë të tyre.
Mijëra aktivistë të majtë në Gjermani kanë përdorur protestat për të pritur 1 Majin, e cila është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Megjithatë, situata u përshkallëzua nga një grup prej afro 800 aktivistësh në bazë të shifrave të policisë, të cilët nisën të hedhin gurë dhe sende të forta në drejtim të autoriteteve.
Në vendin e ngjarjes u vu re një prani e rritur ndjeshëm e forcave policore, të cilët u munduan që të evitojnë çdo incident të mundshëm.
Skena të ngjashme pati edhe në Stamboll të Turqisë, ku policia përdori gazin lotsjellës ndaj protestuesve.
Ka disa raporte ende të pakonfirmuara për një person të vrarë në përleshje.
Mijëra vetë punëtorë e anëtarë sindikatash në Rusi e shënuan këtë ditë me një marshim në “Sheshin e Kuq” të Moskës.
Në pjesë të ndryshme të Azisë, “1 Maji” u kujtua me tubime dhe me thirrjet për rritje page e kushte më të mira pune.
Mijëra njerëzit e mbledhur në Seul të Koresë së Jugut kundërshtuan planet e qeverisë për reforma në punësim, të cilat u lejojnë kompanive pezullimin e individëve neglizhentë, apo të atyre që nuk kanë një performancë të kënaqshme në punë.
REJHANE BUSHI-METAJ
