Botë

CIA: Kriza në Siri dhe Irak favorizon IS-in

02.05.2016 12:08

Agjencia Qendrore e Inteligjencës, CIA, është kritikuar në mbarë botën online për shkak se ka postuar në Twitter vrasjen e Osama bin Laden sikur të kishte ndodhur sot...

Në postim tregohen detaje të misionit që çoi në zbulimin e vendndodhjes së personit më të kërkuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Lideri i Al Kaedës, të cilit i atribuohej përgjegjësia kryesore për sulmet e 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington, u qëllua për vdekje në një kompleks në Abotabad të Pakistanit, në maj të vitit 2011, pasi i kishte shpëtuar arrestimit nga trupat amerikane dhe aleatëve të tyre për thuajse një dekadë.
 
Duke folur në 5-vjetorin e vdekjes së tij, drejtori i CIA-s, John Brenan, deklaroi se, Bin Laden kishte një simbolikë të madhe dhe domethënie strategjike për organizatën, ndaj dhe ishte e rëndësishme dalja e tij nga skena. Kreu i CIA-s thotë se fuqizimi i “Shtetit Islamik” ka ardhur si pasojë e shpërndarjes dhe shtrirjes së grupit terrorist përtej territorit.
 
“Rrënjët e tij janë të thella, shkojnë përtej  territorit. ‘Shteti Islamik’ ka qenë i aftë të tërheqë një numër të madh individësh nga jashtë, përtej zonave si Iraku apo edhe Siria. Janë mbi dhjetëra mijëra persona që kanë udhëtuar nga anembanë botës për t’u bashkuar me të ashtuquajturin kalifat. Kështu që unë mendoj se ka pasur një rezonancë, për fat të keq, e cila ka apeluar zemrat, shpirtrat e mendjet e atyre individëve që nuk kanë pasur një identitet të qartë fetar.”- deklaroi drejtori i CIA-s, John Brennan.
 
Brenan tha se grupi terrorist është në gjendje ende të rritet si pasojë e terrenit të përshtatshëm në Siri e Irak.
 
Ai tha se krizat që ka përjetuar Siria, si përdorimi i armëve kimike nga presidenti sirian, Bashar al Assad, janë situata që favorizojnë dhe ndihmojnë të rriten grupet terroriste.
 
Sa i përket raporteve sekrete të sulmeve të 11 shtatorit, në të cilat thuhet se Arabia Saudite ka mbështetur Al Kaedën, Brenen tha se në raport nuk ka asnjë provë që qeveria saudite apo zyrtarët sauditë individualisht kanë ofruar mbështetje financiare për grupin terrorist.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI