Kociançiç: Nuk ka letër të re për liderët
Eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, nuk ka dërguar asnjë letër të re drejtuar liderëve politik në Maqedoni, në të cilën kërkohet të arrihet ndonjë marrëveshje për takim të ri në Bruksel apo Vjenë...

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kociançiç, e cila hedh poshtë deklarimet e disa mediave në Maqedoni se liderët e katër partive, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, tashmë kanë pranuar një letër nga eurokomisioneri Hahn.
“Nuk ka asnjë letër, kështu që nuk mund t’ju them cila është esenca e saj, sepse letra nuk ekziston. Por, ka elemente të cilat janë shpjeguar me detaje në deklaratën e publikuar ditë më parë dhe ai vazhdon të jetë qëndrimi ynë zyrtar për situatën në Maqedoni.”- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.
Por, derisa Kocijançiç mohon të ketë letër nga eurokomisari, burime partiake thonë se mesazhin e Brukselit e ka bartur te liderët euroambasadori, Aivo Orav. Në porosinë e fundit të BE-së, që u është përcjellë liderëve nga euroambasadori Orav, kërkohet kompromis nga të gjithë që vendi të dalë nga kriza dhe që partitë të zbusin qëndrimet e tyre.
Në raportin e delegacionit të asamblesë parlamentare javën e kaluar u tha se nëse lista zgjedhore nuk arrin të pastrohet në afatin ligjor dhe kjo konfirmohet edhe nga KShZ, atëherë liderët duhet të ulen e të dakordohen ose t’i japin një javë kohë shtesë KShZ-së të përfundojë pastrimin e listës, ose të shtyjnë datën e zgjedhjeve, por ende nuk ka informacione nëse partitë tashmë kanë filluar bisedimet mes tyre, që do të rezultonin me një marrëveshje të re.
Partitë e bllokut maqedonas kanë thënë se rreth zhvillimeve politike do të prononcohen pas festave.
Ndërsa BDI, siç ka deklaruar ditë më parë zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani, deri në fund të javës do të presë që LSDM dhe VMRO të reflektojnë për dalje të përbashkët nga kriza, në të kundërtën edhe BDI do të sjellë vendimin se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm të kësaj partie.
PDSh, ndërkohë, tanimë disa herë e ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pa u plotësuar më parë kushtet. Edhe partitë jashtëparlamentare, si BESA apo UNITETI, tani janë prononcuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 qershorit, pasi vlerësojnë se nuk janë krijuar kushte për zgjedhje kredibile. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
