Maqedoni

Rikthehen protestat, sindikalistët kërkojnë të drejtat e punëtorëve

02.05.2016 16:21

Një pjesë e sindikatave mbajtën sot marshin protestues, përmes të cilit kërkohen më shumë të drejta për punëtorët...

Nga Karta për solidaritet të sindikatave, që janë organizatorë të protestës së sotme, kërkojnë tërheqjen e Ligjit për Administratorët dhe të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, ligje këto që sipas sindikalistëve kanë shkelur dinjitetin e të punësuarve në sektorin publik.

Gjithashtu kërkohet tërheqja e të gjitha ndryshimeve dhe plotësimeve mbi Ligjin për Arsim të Lartë, duke filluar që nga viti 2008. Përmes protestës së sotme kërkohet edhe miratimi i një Ligji të ri për mediat, i cili do të jetë i pranueshëm për gazetarët dhe punonjësit e mediave dhe rregullimin e pagave mujore dhe të drejtave tjera përmes kornizës ligjore.

Protestuesit i apelojnë qeverisë të dëgjojë më tepër zërin e punëtorëve. Protesta e sotme ishte në fakt protesta e 1 Majit, por që sivjet u shty për një ditë për shkak të Pashkëve ortodokse.

Mbështetje protestës së sotme i kanë dhënë edhe nga lëvizja “Protestoj”, anëtarët e së cilës gjithashtu i janë bashkangjitur asaj, ndërkohë që kanë paralajmëruar se Revolucioni i larmë do të vazhdojë nesër protestat e rregullta që tashmë hyjnë në javën e tretë.

ERSAN PAJAZITI