“Nojt Cirher Cajtung”: A shkoi shumë larg me amnistinë Ivanov?; “Der Standard”: Maqedonia luhatet midis Perëndimit dhe Lindjes
A shkoi shumë larg me amnistinë Ivanov?-pyet gazeta austriake “Nojt Cirher Cajtung” në analizën kushtuar zhvillimeve të fundit politike në Maqedoni...

“Në çdo rast, kjo nuk është një amnisti klasike, sepse politikanët ende nuk ishin as të dënuar. Por, tre prokurore speciale hetojnë mashtrimet zgjedhore, abuzimin dhe krime të tjera, kushtet që duhet t’i plotësojë çdo politikan që dëshiron të pasurohet në një vend të varfër si Maqedonia."- shkruan korrespondenti i “Nojt Cirher Cajtung” në Ballkan, Andreas Ernst.
Përveç protestave masive të qytetarëve, NCC vë në dukje edhe "kërkesa të qarta jodiplomatike nga Uashingtoni dhe Brukseli për të hequr amnistinë”.
"Për herë të parë pas viteve të zeza të sundimit të Millosheviqit, Perëndimi i kërcënohet një shteti ballkanik me sanksione. Ndërsa Maqedonia është në rrugën e saj për të shkatërruar sundimin tashmë të dobët të ligjit."- thuhet në analizën e gazetës Cajtung.
Ndërsa sipas analizës së bërë nga gazeta austriake “Der Standard”, kriza aktuale politike në Maqedoni luhatet midis Perëndimit dhe Lindjes. "Jo vetëm në bazë të politikës së brendshme, por edhe gjeopolitikisht Maqedonia është në një gjendje pasigurie. Vetoja e Greqisë për anëtarësim në NATO dhe BE, për shkak të çështjes së emrit shkaktoi në vend luhatje ndërmjet interesave perëndimore dhe lindore. Rusia mbështet qëndrimin e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor, ndërsa BE-ja dhe ShBA-të dëshirojnë të prolongojnë zgjedhjet. ShBA-të, tradicionalisht, në rajon mbështesin shqiptarët”.
Në gazetë më tej thuhet se: “Partia më e madhe shqiptare, BDI, është si një partner i Perëndimit në qeveri. Por, pasi Ivanov shpalli një amnisti për politikanët të dyshuar për korrupsion, BDI është bërë faktor vendimtar. Perëndimi tani dëshiron që kjo parti të largohet nga koalicioni me VMRO-në.”- analizon Gazeta “Der Standard”.
Në këtë kontekst, Standard njeh dhe afërsinë në qëndrimet midis politikanëve kryesorë dhe shteteve të caktuara. Në fjalën e tij para "qytetarëve" në lidhje me amnistinë, Ivanov argumentoi se kriza është krijuar nga dikush tjetër. "Der Stadard analizon më tej se në fjalimin e tij Ivanov, në janar, kritikoi ndërhyrjen e ambasadave të huaja, të cilat fillimisht kanë shkaktuar krizën, e pastaj janë paraqitur si zgjidhje, pasi që kanë formuar Prokurori Publike ilegale.
Sipas analizës së “Der Standard” mund të pritet që Prokuroria Speciale, e mbështetur nga BE, të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese. (Sanije Duraku, TVM2)
