Sllupçan, 15 vjet nga fillimi i luftës së UÇK-së dhe shpallja zonë e lirë e Karadakut
Në Sllupçan sot është shënuar 15 vjetori i fillimit të luftës dhe shpalljes zonë e lirë të Karadakut...

Me këtë rast, në manifestimin madhështor pasditen e sotme, për të përkujtuar 2 Majin e vitit 2001 dhe dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, as moti me shi nuk ka penguar që të mblidhen familjarë të dëshmorëve të rënë, veteranë e invalidë të luftës, si dhe mysafirë nga të gjitha trojet, si nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria e Lugina e Preshevës, por edhe ministrat e zëvendësministrat shqiptarë të kabinetit qeveritar të Qeverisë së Maqedonisë.
Referatin për këtë datë të ndritshme të historisë sonë më të re kombëtare e paraqiti Xhabir Ramadani.
Më pas, për rëndësinë e 2 Majit dhe shpalljes zonë e lirë të Karadakut dhe proceset e mëtejme avancuese të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni folën kreu i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, kryetari i degës së ShVL- UÇK-së, Berat Hajdari, dhe të tjerë.
Manifestimi i sotëm u pasurua edhe me program kulturor–artistik, kurse në paraditen e sotme një delegacion i komunës së Likovës bëri homazhe tek të gjitha varrezat e dëshmorëve në territorin e komunës së Likovës. (Nexhat Aqifi, TVM2)
