Botë
KE për Turqinë: Liberalizim vizash, por me kushte
03.05.2016 10:02
Komisioni Evropian do t’i ofrojë Turqisë një marrëveshje me kushte për të udhëtuar pa viza në zonën Shengen...

Kështu shkruan BBC, që citon burime konfidenciale. Lëvizja është pjesë e marrëveshjes në kuadër të të cilës Turqia ka rënë dakord për të marrë mbrapsht emigrantët që kanë kaluar detin Egje për në Greqi.
Por, Turqia duhet ende të plotësojë kriteret e BE-së dhe marrëveshja të aprovohet nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare.
Unioni druhet se pa një marrëveshje për heqjen e vizave, Turqia nuk do t’a kontrollojë emigracionin.
Numri i madh i emigrantëve dhe refugjatëve që mbërrijnë në Evropë nga Turqia dhe më parë nga Afrika e Veriut ka shkaktuar një krizë politike në radhët e vendeve anëtare të BE-së.
Një njoftim zyrtar nga Komisioni Evropian pritet të jepet ditën e mërkurë. Në bazë të marrëveshjes BE-Turqi, emigrantët që kanë mbërritur ilegalisht në Greqi që prej 20 marsit pritet të kthehen mbrapsht në Turqi nëse nuk aplikojnë për azil apo nëse apeli i tyre refuzohet.
Për çdo emigrant sirian të kthyer në Turqi, BE do të marrë një tjetër sirian që ka bërë kërkesë legjitime për azil.
Grupet e të drejtave të njeriut vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e marrëveshjes dhe argumentojnë se Turqia nuk është një vend i sigurt ku të kthehen njerëzit.
Gjithsesi, muajin e kaluar presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, deklaroi se marrëveshja kishte nisur të jepte rezultatet e para.
BELIDA KOKA-ADEMI
