Botë
Dita e Lirisë së Shtypit, vendet ku është vështirë të punosh si gazetar
03.05.2016 12:48
Që prej dhjetorit të vitit 1993, kur Asambleja e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara caktoi 3 majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias...

Që prej dhjetorit të vitit 1993, kur Asambleja e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara caktoi 3 majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, kjo ditë shihet si një hapësirë për të festuar principet e lirisë mediatike, por në të njëjtën kohë edhe një mundësi për të nxjerrë në pah problemet dhe kërcënimet më serioze që i kanosen shtypit. Po në çfarë gjendje ndodhet sot media në botë?
Në disa shtete, profesioni i gazetarit është thuajse i pamundur. Mjafton të përmendim këtu Arabinë, në të cilën gazetarët torturohen për vdekje, Irakun në të cilin ata rrëmbehen, Kinën, ku ata futen në burg, Meksikën, ku baronët e drogës i përndjekin dhe Lindjen e Mesme, ku shumë korrespondentë janë ekzekutuar përpara kameras.
Por, përveç rasteve ekstreme, shumë shtete po mundohen që t’a vrasin median me mënyra të tjera. Qeveria polake përdori parlamentin për të marrë në dorë kontrollin e plotë të televizionit dhe medias shtetërore.
Presidenti rus, Vladimir Putin, përmes metodave të tij autoritare ka arritur që t’a kthejë shtypin në favor të tij. Por, në qendër të kritikave është vendosur edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Gjatë muajve të fundit, Qeveria turke ka shtrirë kontrollin e saj mbi ish-gazetën opozitare “Zaman”, ka bllokuar sinjalin e transmetimit të një televizioni privat, si dhe ka tentuar të dënojë me burgim të përjetshëm dy gazetarët e Gazetës “Cumhurriet”, Can Dundar dhe Erdem Gul. Por, veprime të tilla nuk janë shtrirë vetëm brenda Turqisë.
Vetëm pak javë më parë, Qeveria turke i kërkoi Gjermanisë që të procedonte penalisht satiristin, Jan Böhmermann, për shkak se ky i fundit kishte publikuar një material në të cilin ironizonte presidentin Erdogan.
Nga vendet më të vlerësuara për lirinë e shtypit, organizata “Reporterët pa kufij” gjykon se shteti më i përparuar në këtë aspekt është Finlanda, e cila e mban ketë pozicion prej pesë vitesh.
Pas saj vjen Holanda, e cila ka ligje mjaft të ashpra për këdo që cenon pavarësinë e medias. Ndërkohë, në vend të tretë radhitet Norvegjia.
Tre vendet me rekordet më negative në aspektin e lirisë mediatike janë tre shtetet diktatoriale, Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea, të cilët zënë respektivisht pozicionet 178, 179 dhe 180.
GAZMEND KURTISHI
