Maqedoni

Dita Botërore e Astmës, aktivitete edhe në Maqedoni

03.05.2016 13:33

Numri i të sëmurëve nga Astma rritet vazhdimisht dhe në nivel botëror ky numër arrin në më shumë se 350 milionë njerëz...

Kështu u theksua në takimin e  ekspertëve me temën "Strategjia për ballafaqim me Astmën në Maqedoni", që u organizua me rastin e Ditës Botërore të Astmës.
 
Ky numër do të vazhdojë të rritet dhe deri në vitin 2025 do të arrijë në 450 milionë, theksojnë mjekët, sipas të cilëve edhe numri i të prekurve në Maqedoni është në rritje.
 
“Numri i personave të hospitalizuar është në rritje, ashtu si edhe i kontrolleve në ambulancë. Në vitin 2012 janë hospitalizuar 1662, ndërsa vitin e kaluar ky numër ka arritur në 1905 persona të hospitalizuar.”- deklaroi drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Biserka Xhaeva.
 
Njëherit, mjekët theksuan se kjo është sëmundje që zgjat tërë jetën, prandaj është me rëndësi që këta njerëz të kenë jetë kualitative, të jenë të diagnostifikuar drejtë dhe t’i respektojnë rekomandimet e mjekëve dhe të pranojnë terapinë e caktuar. 
 
Në kuadër të Ditës Botërore të Astmës, Instituti i Shëndetit Publik-Klinika e Pulmologjisë dhe Alergologjisë, Shoqata e Pulmologëve të Maqedonisë dhe Shoqata e Maqedonisë për Alergologji dhe Imunologji Klinike organizuan aktivitete të ndryshme, përfshi ligjërata në 20 qendra rajonale në Maqedoni. 
 
GYLTENE SINANI