Maqedoni
Zaev nuk pajtohet me faljen, do të kërkojë drejtësi deri në Strasburg
03.05.2016 13:50
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka paraqitur ankesë deri tek Gjykata Themelore në lidhje me ndërprerjen...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka paraqitur ankesë deri tek Gjykata Themelore në lidhje me ndërprerjen e procedurës gjyqësore për rastin “Puç”, si rezultat i abolimit të presidentit, Gjorge Ivanov.
Zaev tha se do të vazhdojë me kërkimin e drejtësisë dhe për gjykimin e drejtë në bazë të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të drejtën do t’a kërkojë edhe në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
“Sot ishim në seancë, e cila është caktuar përpara një muaj e gjysmë, mu për datën e sotme. Seanca për fat të keq nuk u mbajt, u njoftuam nga shërbimet e Gjykatës se seanca sot nuk do të mbahet. Ne si opozitë paraqitëm ankesë në lidhje me këto procedura, që janë rezultat i abolimit apo faljes së paligjshme dhe antikushtetuese të Gjorge Ivanovit, e cila vetë paraqet precedent, që të falen dëshmitarë, të falen shtetas të huaj dhe shumë marrëzira tjera në vet aktin. Të drejtën e vazhdojmë përmes Gjykatës së Apelit e deri në Strasburg, duke shfrytëzuar aktin gjashtë nga Konventa evropiane.”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
I pyetur nëse ka pranuar letër nga komisioneri Han për të rinisur negociatat, Zaev mohon të ketë pranuar një letër të tillë.
Por, ai sqaron se ka pranuar një letër nga ambasadori Orav në emër të komisionerit Han, për të cilën lideri i LSDM-së tha se nuk mund të komentojë më shumë mbi këtë çështje dhe shpreson se euroambasadori Orav mund të përgjigjet në këto pyetje.
ERSAN PAJAZITI
