Maqedoni
Sinoptikanët: Edhe këtë javë vranësira, përmirësim javës tjetër
03.05.2016 14:15
Ndryshimet e shpeshta të temperaturave kanë qenë karakteristike për muajin e kaluar...

Ndryshimet e shpeshta të temperaturave kanë qenë karakteristike për muajin e kaluar, kur pas disa ditëve me diell dhe temperatura të larta deri në 30 gradë, erdhi deri te rënia drastike e temperaturave të shoqëruara edhe me reshje shiu, e në zonat malore edhe me borë.
Edhe fillimi i majit na gjeti me temperatura të ulëta dhe reshje. Por, çfarë thonë meteorologët për ditët në vazhdim?
Nuk do të kemi, të paktën shumë shpejt, ditë me temperatura ekstremisht të nxehta për këtë periudhë të vitit, por as reshje bore siç pamë në fqinjët tanë ballkanikë apo në Lazaropolë në Maqedoni. Temperaturat e mëngjesit do të jenë ndjeshëm të ulëta, por gjatë ditës deri në fund të javës do të kemi edhe ditë me diell.
“Nesër do të kemi përsëri kohë të ndryshueshme, me temperatura mëngjesi prej 4 gradë celsius e me maksimalen e ditës deri në 19 gradë. Në ditët e ardhshme na pret mot i ndryshueshëm, me periudha me diell. Në pjesën veriore do të ndalojnë reshjet e shiut dhe do të mbizotërojnë vranësirat e kohëpaskohshme.”- deklaroi meteorologu, Boris Sekirarski.
Ditët e kaluara më shumë reshje shiu janë regjistruar në Kumanovë, Pozharanë, Berovë dhe Kriva Pallankë, të cilat kanë shkaktuar edhe fryrjen e ujërave të Drinit të Zi, Radikës, lumenjve në Kriva Pallankë, Bregallnicë dhe Strumicë, por që kanë kaluar pa dëme të mëdha në fushat apo vendbanimet që shtrihen përreth lumenjve.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
