Basketboll

Oklahoma befason San Antonion, Cleveland pa probleme

03.05.2016 14:32

Dy ndeshje të luajtura mbrëmë në gjysmëfinalet e play off-it në NBA, nga një për secilën Konferencë...

Cleveland fitoi 104-93 ndaj Atlantës në gjysmëfinalen e parë të play off-it në Lindje, një takim i komanduar nga ekipi vendës, që udhëheq 1-0 serinë e takimeve.
 
Cavaliers u shkëputën 30-19 që në periodën e parë, duke e patur të lehtë më pas të administrojnë avantazhin. LeBron James realizoi 25 pikë, më i miri në fushë për Cavaliers, mbështetur edhe nga Irving me 21 pikë, një dyshe që bëri diferencën. Për Atlantën nuk mjaftuan 27 pikët e Schroder.
 
Fitore në sekondat e fundit jashtë fushe arriti ekipi i Oklahomës, që mundi 98-97 San Antonio.
 
Westbrook me 29 pikë e 10 asist si dhe Durant me 28 pikë ishin të jashtëzakonshëm në këtë takim për miqtë, duke qenë liderë të vërtetë në fushë.
 
Një ndeshje që shkoi “pikë më pikë” gjatë gjithë kohës, ndërsa 41 pikët e Aldridge për Spurs nuk mjaftuan për të evituar humbjen.
 
Pas dy takimeve të para, barazim 1-1 mes San Antonios dhe Oklahomës, dy ekipe që do të dhurojnë spektakël në fushë në Konferencën e Perëndimit.
 
Sot luhen dy takimet e tjera gjysmëfinale: Toronto-Miami dhe Golden State-Portland.