Futboll

Historike, Kosova anëtarësohet në UEFA

03.05.2016 14:39

3 Maj 2016. Kosova ka një tjetër datë historike. Federata Kosovare e Futbollit është zyrtarisht anëtarja e 55-të e UEFA-s...

Vendimi u morr në Kongresin e Zakonshëm të Konfederatës Europiane, të zhvilluar në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
 
Pranimi u realizua pas 28 të siguruara, aq sa ishin të nevojshme për një maxhorancë të thjeshtë nga 54 federata anëtare të UEFA-s. 24 federata votuan kundër dhe 2 abstenuan, por në fund Kosova u anëtarësua me të drejta të plota.
 
Optimizmi për pranimin e përfaqësueses së Kosovës kishte nisur ditë përpara zhvillimeve të punimeve të Kongresit, që u drejtua nga Theodore Theodoridis dhe presidenti i përkohëshëm, Angel Maria Villar. Por, edhe pse Kosova njihet si shtet nga 38 vende anëtare të Konfederatës Europiane që votuan, pranimi nuk ishte i lehtë, ashtu siç u mendua në fillim.
 
Me pranimin në UEFA merr fund kalvari i përfaqësueses së Kosovës, që prej 6 Majit 2008 hodhi hapin e parë drejt ndërkombëtarizimit, me kërkesën që në atë kohë nuk u miratua nga FIFA.
 
Por, me anëtarësimin pranë UEFA-s edhe pranimi në FIFA është çështje ditësh dhe pritet të realizohet në Kongresin e institucionit që drejton futbollin botëror më 12 dhe 13 Maj në Mexico City.
 
Kjo është arsyeja përse menjëherë pas aprovimit të marrë nga pjesa më e madhe e federatave Europiane, tashmë për Kosovën do të nisin procedurat për t’u përfshirë në programin e kualifikueseve të Botërorit 2018 që do të zhvillohet në Rusi.