Maqedoni

UT nderon Adem Demaçin si simbol i qëndresës së shqiptarëve në ish Jugosllavi

03.05.2016 14:52

Universiteti i Tetovës në një simpozium shkencor ka rikujtuar veprimtarinë e shkrimtarit, publicistit e mbi të gjitha atdhetarit, Adem Demaçi...

Universiteti i Tetovës në një simpozium shkencor ka rikujtuar veprimtarinë e shkrimtarit, publicistit e mbi të gjitha atdhetarit, Adem Demaçi, i cili për pavarësinë dhe të drejtat e popullit shqiptar në Kosovë gati gjysmën e jetës së tij e kaloi në burgjet e Serbisë.
 
Edhe përkundër trysnisë serbe, Demaçi mbeti i përkushtuar në idealin e tij dhe të  popullit shqiptar dhe në ëndrrën e kthyer në realitet për një Kosovë shtet të pavarur. Adem Demaçi është një ndër figurat më markantë të kombit shqiptar, u tha me këtë rast.
 
“Nderi i kombit, Adem Demaçi, është ndër figurat më markantë të kombit ndërshqiptarë, por edhe në arenën ndërkombëtare personifikon simbolin e qëndresës së shqiptarëve në ish Jugosllavinë kundër politikës diskriminuese dhe gjendjes sociale. Ai është një personalitet i rrallë, i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta morale dhe njerëzore, si i tillë është shndërruar në institucion në vete dhe përfaqëson nderin dhe krenarinë e kombit tonë.”- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
 
“Adem Demaçi është ikona shqiptare, është kryefjala shqiptare, ka qenë figura që ndërtoi ëndrrën e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Në figurën e Adem Demaçit do gjejmë intelektualë. Tani jemi në shek. XXI, ky shekull është shekulli i Adem Demaçit, është shekulli i shqiptarëve dhe shqiptarët duhet të bashkohen për të treguar se kombi shqiptar është një komb autokton, një komb i cili do të ndërtojë të ardhmen e vet. Shekulli XXI na ka ndarë dhe shekulli XXI duhet të na bashkojë edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.”- tha ministri i Arsimit i Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami.
 
“Veprimtaria e bacës Adem nuk është thjesht një veprimtari e udhëhequr nga atdhedashuria e verbër, por ishte një veprimtari e qëndresës, veprimtari e peshuar në mënyrë intelektuale, duke ndjekur shkollën e Hasan Prishtinës dhe rilindësve. Baca që në fillim të veprimtarisë së tij, në vitet 1964, detektoi se pa arsim të mirëfilltë nuk ka komb të shëndoshë.”- theksoi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
 
Të pranishëm në këtë simpozium shkencor ishin shumë bashkëveprimtarë të Adem Demaçit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Universiteti i  Tetovës  do t’i ndajë z. Adem Demaçit  titullin e lartë, Doktor Honoris Causa.
 
VISAR SADIKI