Botë

Kosova në UEFA, urime edhe nga politika mbarëshqiptare

03.05.2016 16:01

Pranimi i Kosovës në UEFA ka gëzuar edhe faktorin politik shqiptar, të cilët kanë përshëndetur këtë arritje të futbollit kosovar...

Ndër të parët të cilët kanë uruar ka qenë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
“Kosova në UEFA! Lajmi më i mirë i mundshëm për tifozët e panumërt në Republikën tonë. Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare, disa lojë do t'i fitojmë, disa do t'i humbim, por kurrë më s'do të na ndalin nga fusha e gjelbër. Urime Fadil Vokrrit dhe Federatës, urime lojtarëve të kombëtares sonë, urime të gjithë qytetarëve.”- ka uruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Anëtarësimin e ka përshëndetur edhe kryeministri Mustafa, i cili shprehet optimist se shumë shpejt e njëjta gjë do të ndodhë edhe me FIFA-n.
 
“Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që shteti ynë sapo arriti edhe një sukses kulminant historik. Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme. Rezultatet kulminante, produkt i përkushtimit tonë dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtarë, do të vazhdojnë në ditët në vijim. Të ndihemi krenarë me atdheun tonë.”- shkruan Mustafa.
 
Mesazhe urimi kanë ardhur edhe nga politikanët e Shqipërisë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e cilëson anëtarësimin e Kosovës në UEFA si një arritje shumë të madhe. 
 
“Kosova në UEFA! Urime vëllazërore dhe një Big Like gjithë atyre që punuan për këtë arritje kaq të rëndësishme ‪#ForcaKosove.”-  ka shkruar kryeministri shqiptar, Edi Rama, në profilin e tij në Facebook.
 
Rrjetet sociale për të uruar Kosovën ka shfrytëzuar edhe lideri i PD-së, Lulzim Basha.  ‬ 
 
“Lajmi i mirë dhe i gëzueshëm për çdo shqiptar: Federata e Futbollit e Kosovës anëtarësohet në UEFA. Urime Kosovë!”- ka shkruar kryetari i PD-së, Lulzim Basha. 
 
Edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në urimin e tij theksoi se pranimi i Kosovës në UEFA është një lajm i shkëlqyer për të gjithë shqiptarët.
 
“Sportistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi dhe unë jam i bindur që ky vendim kaq i rëndësishëm i shtëpisë evropiane të futbollit do t'i shërbejë më së miri jo vetëm sportistëve, por edhe institucioneve në konsolidimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës.”- thuhet në urimin e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
 
ERSAN PAJAZITI